Lajme Botë

Qindra fëmijë po vdesin nga kriza e urisë në Somali

Femijet e semure nga uria e rende ne Somali

Qindra persona janë duke vdekur nga uria dhe kequshqyerja në Somali.

Kriza e urisë ka filluar pikërisht kur ka filluar thatësira më e madhe e rajonit të Somalisë në katër dekadat e fundit.

Thatësirë ka çdo vit në Somali dhe vendet përreth, por kjo e fundit nuk krahasohet me të mëhershmet, shkruan AP News.

Nga të dhënat e pa raportuara por të ndara me The Associated Press, tregojnë se të paktën 448 vdekje ndodhin në vit në qendrat e trajtimit të kequshqyerjes në Somali.

Sipas një grupi humanitar në këtë vend, së paku 30 vetë kanë vdekur këtë vit deri në prill në qendër të Somalisë dhe vendet përreth.

Që kur ky grup filloi punën në Somali, thanë se këtë vit kanë parë normat më të larta të pranimit të fëmijëve të uritur në qendrat për trajtimin e urisë.

Siç raporton AP News, ndihma humanitare është goditur nga kriza globale si epidemia COVID-19 dhe tani lufta e Rusisë në Ukrainë. Çmimet për ushqimet bazë si gruri dhe vaji në disa vende janë rritur me më shumë se 100%. Miliona bagëti që u sigurojnë familjeve qumësht dhe mish kanë vdekur.

Edhe ushqimi terapeutik për t’i trajtuar njerëzit po bëhet më i kushtueshëm dhe në disa vende, mund të shterojë.

Qendrat e trajtimit për ata që janë tepër të kequshqyer, i kanë dhomat plotë, krevate shtesë janë nxjerrë jashtë dhe megjithatë disa njerëz duhet të flenë në dysheme.

“Qendra është e mbytur”, tha Mustaf Jusuf, mjek nga këto qendra.

Sipas UNICEF-it, një shpërthim i vdekjeve të fëmijëve po vjen në Bririn e Afrikës nëse bota përqendrohet vetëm në luftën në Ukrainë dhe nuk vepron tani.

“Më tepër se 200,000 persona në Somali, përballen me uri katastrofike, një rritje drastike nga parashikimi prej 81,000 personave në prill,” tha të hënën një deklaratë e përbashkët nga agjencitë e OKB-së,

Sipas OKB-së plani i reagimit humanitar për këtë vit është vetëm 18% i financuar.

Somalia nuk është vetëm. Sipas UNICEF- it, në rajonet e Etiopisë të prekura nga thatësira, numri i fëmijëve të trajtuar për kequshqyerje është rritur me 27% në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar./Shqip.com