Lajme

Qeverisja e ish-kryetarit të Skenderajt vlerësohet me performancën dhe transparencën më të mirë

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se në mesin e 38 komunave të Kosovës, qeverisja e tij është konsideruar më transparente dhe me performancë të mirë.

Jashari duke shkruar në Facebook ka thënë se ky është lajm i jashtëzakonshëm.

“Në 24 vjetorin e rënies heroike të familjes sime, një lajm i jashtëzakonshëm që dëshmon qeverisjen tonë transparente dhe me përformancë më të mirë në mesin e 38 komunave të Republikës  së Kosovës. Me angazhim maksimal për t’i shërbyer vendit, gjithmonë duke qenë të hapur dhe transparent, falë bashkëpunimit shembullor me qytetarët, qeverisja ime me Komunën e Skenderajt për vitin 2020, nga Ministria e Pushtetit Lokal është vlerësuar me vendin e parë”, ka shkruar Jashari.

Ai ka treguar se ky ka qenë misioni i tij në kohën sa ka qenë në krye të Skenderajt.

“Ky ishte misioni im, obligimi dhe detyra ime që kisha ndaj shtetit tonë, të ndërtuar me shumë mund e sakrificë. Kjo ishte qeverisja ime me komunën e Skenderajt e cila para ardhjes sime në qeverisje, renditej në mesin e komunave fatkeqësisht me përformancë më të dobët dhe më së paku transparente.  Kjo ishte ajo që kisha mundësi të bëjë për komunën time dhe jam i lumtur që puna dhe qeverisja jonë u dëshmua dhe u shpërblye me vendin e parë, ani pse MAPL këtë vit pa asnjë arsye ka vendosur që të mos publikoj listën sipas renditjes së komunave, mirëpo sipas llogaritjeve të bëra në raportin e publikuar në ëeb faqen e MAPL-së del që jemi komuna lider, me vendin e parë”.

Jashari ka falënderuar të gjithë ish-drejtorët e tij, zyrtarët komunal e në veçanti Komisionin Komunal për Sistemin e Menaxhimit të Përformancës Komunale, që është marrë me përgatitjen e raportimit tonë, me koordinator, z. Mirsad Gashi.

“Çdo sukses i komunës sonë është sukses i secilit qytetar, punëtor dhe zyrtar komunal”, ka shkruar Jashari.