Lajme

Qeveria tregon se kur do të hapet aplikimi për studentët për shtesën prej 100 euro

Ilustrim

Hapja e procesit të aplikimit për shtesën e ndarë prej 100 eurosh për studentët është çështje ditësh.

Kështu ka thënë për SHQIP.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova.

“Jemi afër finalizimit të platformës për aplikim për shtesën prej 100 euro për studentë. Ditëve në vijim do të dalim me njoftim dhe udhëzimet mbi procesin e aplikimit. Aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova”, ka thënë Kryeziu.

Kartëmonedha 100 euro

Deri tani, këto shtesa i kanë marrë vetëm pensionistët.

Ndërsa, aplikimi për punëtorët e sektorit privat për 100 euro shtesë do të jetë i hapur deri më 20 maj 2022. Aplikimi për mbështetje mund ta bëni duke plotësuar formularin me të dhënat personale të të punësuarit në këtë vegzë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, punëtorët e sektorit publik pritet t’i marrin shtesat me pagën e prillit.

Kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, ka thënë se me nga 100 euro si masë e njëhershme do të ndihmohen familjet me asistencë sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe studentët.

Sipas Kurtit, vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro.

Nga kjo pako do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë./Shqip.com