Lajme

Qeveria thotë se është rritur sipërfaqja e të mbjellave, bujqit e mohojnë

Çmimet e larta të produkteve bazë për mbjellje, kanë shtyrë bujqit që të ulin sasinë e tokës së mbjellë me grurë.

H. A nga Rahoveci tash e disa vite kultivon grurë, derisa për SHQIP.com tha se nga 7-8 hektarë grurë që ka mbjell këtë herë, do ta zvogëlojë në një.

“Situata është shumë e keqe sivjet. Rritja e çmimeve është duke na dëmtuar shumë. Nuk ka produkt që nuk është rritur si fara, nafta, shfrytëzimi i tokës. Qiraja për tokë është bërë 600 euro, kjo është e tepërt. Bujqit janë duke hezituar me mbjellë. Çdo herë kam mbledhë diku 6-7 hektar dhe sivjet vetëm 1 sa për nevoja. Më kanë dëmtuar shumë edhe reshjet e fundit që ishin. Shumë kultura më kanë shkuar dëm”, shprehet ai.

Bujku thotë se më këto të mbjella të dobëta, Kosova do të këtë mungesë të grurit.

“Jo vetëm unë, po shumë bashkëfshatarë janë duke hezituar me mbjellë sivjet. Kosova me këtë situatë, që jam duke e parë, do të këtë mungesa të mëdha”.

Shkak po cilësohet subvencionimi i vonuar

Për këtë situatë, kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, ia ka lënë fajin subvencionimit të vonuar nga Ministria e Bujqësisë.

“Është një subvencionim stimulues, por nuk jemi të kënaqur, pasi koha e dhënies së tyre, është duke u bërë më vonesë të madhe dhe nuk është duke e pasur efektin e vet, në rritjen e rendimenteve, por edhe të sipërfaqes, pasi paratë bujkut i duhen kur ta fillojë planifikimin për të mbjellë, pasi i duhen për farë, plehra, naftë e të gjitha shpenzimet tjera. Pasi këto para po jepen në një kohë jo të përshtatshme, po shfrytëzohen për nevoja tjera familjare dhe jo për mbjellë, pasi edhe inflacioni dhe situata e krizës është duke ndikuar shumë keq në çdo familje”.

Ai tha se bujqit janë duke i reduktuar të mbjellat për shkak të çmimeve të larta, sidomos të naftës.

Tahiri tha se gjatë viteve paraprake, janë mbjellë diku rreth 40 mijë hektarë grurë, por për t’i siguruar nevojat, duhen shumë më shumë.

“Qeveria duhet me pas drejtori adekuate në komuna, se sa të mbjella janë bërë gjatë një viti të caktuar. Asnjëherë nuk është bërë një matje e saktë dhe çdoherë vetëm me supozime kanë ndodhë. Për t’i mbushur nevojat e popullit, duhet diku mbi 100 mijë hektar grurë të mbledhur”, ka thënë ai për SHQIP.com.

Ministria e Bujqësisë: Mbjellja e grurit do të jetë më e madhe këtë vit

Në një përgjigje për Shqip.com, Ministria e Bujqësisë ka bëre të ditur se në bazë të dhënave në teren, interesimi i fermerëve për të mbjella këtë vit, ka qenë shumë më i madh se sa ai në vitet paraprake.

Sipas tyre, shkak ka qenë subvencionimi.

“Sipas informacionit nga tereni, por edhe informacionit që e kemi siguruar nga pikat shitëse të inputeve bujqësore (farës së grurit dhe plehut artificial), interesimi i fermerëve për të mbjellë grurë këtë vit ka qenë më i madh sesa vitin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria ka sqaruar se këtë vit ka bërë subvencionimin e bujqve që kanë aplikuar për gurë, në katër forma:

a)      Subvencionimi për sipërfaqe/ha, në vlerë prej150 €/ha;

b)      Subvencionimi për sipërfaqe/ha, në vlerë prej150 €/ha, për ri-plehërim pranveror

c)      Subvencionimi për sipërfaqe/ha, për derivate naftë në vlerë 54 €/ha;

d)     Subvencionimi për sasi – kg të grurit të dorëzuar, në vlerë prej 0.03 €/kg;

Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se deri më tani, kanë përfunduar pagesat për tri kategoritë e para (a, b, c) për 10,997 përfitues në sipërfaqe totale prej 49,268.74 hektarësh dhe me vlerë totale prej mbi 17 milionë euro.

Tutje nga ministria kanë thënë se janë ende në proces edhe 134 aplikues me sipërfaqen prej 843.33 hektarësh, ndërsa janë proceduar për ekzekutim të mjeteve edhe për përfituesit që kanë dëshmuar sasinë e dorëzuar të kilogramëve të grurit për gjithsej 3,279 përfitues në vlerë prej 1.6 milionë eurosh.

Ndërkohë, në proces është realizimi i pagesave edhe për fermerët tjerë që kanë dëshmuar sasinë e dorëzuar të kilogramëve të grurit të dorëzuar në pikat grumbulluese, silos, mulli, etj.

/Shqip.com