Lajme

Qeveria thotë se bën dialog me serbët, por jo publikisht

Qeveria e Kosovës thotë se është duke zhvilluar dialog me serbët lokalë, përkatësisht me përfaqësuesit e tyre dhe me disa organizata të shoqërisë civile, por se ai po bëhet larg syve të publikut, me qëllim mbrojtjen e tyre nga “presionet dhe kërcënimet” e “strukturave ilegale dhe grupeve të lidhura me to”.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Së fundmi, më saktësisht javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me dhjetë serbë lokalë, udhëheqës të organizatave të shoqërisë civile në vend”,  thotë Kryeziu.

Theksojmë se disa javë më parë Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Të mërkurën e kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për targat ilegale në veri të vendit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Nga pala kosovare pas takimit janë shprehur se tashmë shumë shpejt Borrell do të ftojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë për të vazhduar bisedimet për normalizim të marrëdhënieve.

/Shqip.com