“Qeveria të merr përgjegjësi edhe për ngecjet, jo vetëm për zhvillimet pozitive”

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, thotë se Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për ngecjet dhe problemet e jo vetëm për progresin dhe zhvillimet pozitive.
Sipas tij, nuk duhet të merren meritat dhe kritikat të ju lihen parardhësve të pushtetit.
“Nëse Qeveria lavdërohet për progresin dhe zhvillimet pozitive brenda një periudhe të caktuar kohore, ajo duhet mbajtur përgjegjëse edhe për ngecjet e problemet tjera – brenda po të njëjtës periudhë kohore”.
“Të vepruarit ndryshe – duke i marrë vet meritat e duke ua lënë paraardhësve kritikat –në rastin më të mirë është jokorrekte, e në rastin më të keq veç për konsum ditor politik”, ka thënë Cakolli.

Dy ditë më parë, Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka fajësuar mënyrën e ardhjes në pushtet të Qeverisë së kaluar për lënien anash të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Samitin për Demokraci.
Me anë të një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Zulfaj thotë se nuk është fare befasi pse Kosova nuk u ftua në këtë samit të thirrur nga SHBA-të dhe se e gjithë kjo ka ardhur si pasojë “e rezultatit të dobët të demokracisë së Kosovës në ‘Freedom House’”.
Në fotografinë e publikuar nga Zulfaj shihet se rënia e pikëve për demokracinë në Kosovë ka ardhur për shkak të formimit jokushtetues të Qeverisë Hoti në qershor të 2020-s. /Shqip.com