Lajme

Qeveria sot ua pagoi rrymën atyre që vendosën barrikada

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës sot ka ndarë mjete financiare nga buxheti për të paguar rrymën e atyre që vendosën barrikada.

“Qeveria sot ka ndarë 17.5 mil euro për borxhin e KOSTT-it ndaj Rrjetit Evropian për furnizimin e komunave në veri. Vite me radhë shanin për të njëjtën gjë. Për dijeni, këto mjete janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar. Zgjedhjet në veri i shtynë për prill, vendimin për tabela e shtynë pa afat, të arrestuarin për terrorizëm e liruan. Tani, para se të nisin festën e vitit të ri, ua paguajnë edhe rrymën atyre që vendosën barrikadat”, shkroi Hoti.

Tutje, Hoti tha se kjo është qeverisje se jo ‘mahi’.

Kjo është qeverisje se jo mahi!

Me kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 37 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT).

Kjo është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit përmes një komunikatë për media ku thuhet se miratimi i kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë ka ardhur për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik.

“Kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje të mjeteve buxhetore për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik, në vlerë prej 37,500,000.00 € (tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë euro), nga të cilat 20,000,000.00 € (njëzet milionë euro) janë ndarë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me rastin e vendosjes së Obligimit të Shërbimit Publik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe 17,500,000.00 €  (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro) janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike. Mjetet sipas këtij Vendimi merren nga kursimet buxhetore”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Ky vendim ka vendosur edhe obligimet që rëndojnë mbi ndërmarrjen e KEK-ut dhe KOSTT-it.

/Shqip.com