Lajme

Qeveria: Situata po stabilizohet në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj, por jo edhe në Klinë

Pas vërshimeve të ujit nëpër disa komuna të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka dalë me një njoftim në lidhje me situatën në vend.

Sipas qeverisë, aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Klinën.

“Aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj. Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna.

Situata mbetet më e vështirë në Klinë, ku po dërgojmë përforcime shtesë me zjarrfikës nga komunat përreth”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik emergjent 112”, theksohet nga Qeveria e Kosovës.

/Shqip.com