Lajme

Qeveria shfuqizon vendimet e Haradinajt për tokat e AKP-së që iu kishin ndarë komunave

Mbledhja e Qeverisë

Është shfuqizuar vendimi i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj për dhënien e tokave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit disa komunave.

Kryeminstri aktual, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se pronat duhet t’i kthehen AKP-së dhe se kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet sipas tij është i pakompromis.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për shfuqizimin e vendimeve të qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP-ja në komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i Elezit. Zbatimi i ligjshmërisë është parim themelor me të cilën udhëhiqet qeveria jonë për këtë kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet është i pakompromis. Vendimet e ish-qeverisë Haradinaj përmes të cilave tokat e AKP u ndahen komunave të caktuara sot duhen shfuqizuar përshkak të rrethanave të ndryshuara ligjore”, tha Kurti.

Nga ana tjetër Elbert Krasniqi, ministër i Pushtetit Lokal, ka thënë se vendimet duhet të shfuqizohen për arsye që s’janë zbatuar dhe përshkak të ndryshimit të ligjit.

“MAPL ka sjellë për miratim shfuqizimin e disa vendimeve të ish-qeverisë Haradinaj. Propozim-vendimi për shfuqizimin e vendimit bazohet për arsye se këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen dhe për faktin se në vitin 2019 ka ndryshuar ligji i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale dhe këtë duhet ta harmonizojmë”, tha ministri Krasniqi.

Propozim-vendimin i ministrisë së Pushtetit Lokal është miratuar me shumicë votash nga kabineti qeveritar./Shqip.com