Lajme

Qeveria: Reciprocitetin dhe targat nuk i diskutojmë në Bruksel

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Dy vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, ai për reciprocitetin në dokumente dhe target ilegale nuk pritet të diskutohen në takimin e radhës në Bruksel.

Nga ekzekutivi thonë se vendimet janë të institucioneve të Kosovës dhe të parapara edhe në marrëveshjet e kaluara të Brukselit, andaj nuk mund të jetë temë e diskutimit.

“Për agjendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, andaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Detaje për takimin e 18 gushtit nuk jep as zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga përfaqësuesi i lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak për të diskutuar rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thekson ai.

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel po mbahet pas më shumë se një viti, derisa kanë mbajtur një takim joformal muaj më parë në Berlin./Shqip.com