Lajme

Qeveria reagon lidhur me pretendimet për aneks të propozimit evropain

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar lidhur me atë që thuhet se ka aneks të propozimit evropian lidhur me dialogun me Serbinë.

Përmes një reagimi për media thuhet se është i pasaktë dhe i paqëndrueshëm për shkak që sipas tij ajo që është pranuar është e publikuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeziu tha se plani i zbatimit do të diskutohet e negociohet në takimet e radhës.

“Raportimi për dokumentin, i referuar si Aneksi i Propozimit Evropian, është i pasaktë dhe i paqëndrueshëm. Për Planin e Zbatimit do të diskutohet e negociohet në takimet e radhës. Do të kemi diplomaci fluturuese të emisarit Lajçakut në Prishtinë e Beograd dhe pastaj takim të shtatë të nivelit të lartë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell dhe emisarit Lajçak. Në takimin e djeshëm ka pasur dakordim për marrëveshjen bazë, e cila tashmë edhe është publike. Ajo që është pranuar, është vetëm ajo që është publikuar nga Bashkimi Evropian”, shkroi Kryeziu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan të hënën me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti.

Arsyeja ishte, sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij.

Megjithatë, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

/Shqip.com