Lajme

Qeveria publikon udhëzues për kursimin e energjisë elektrike

Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka publikuar një udhëzues për kursimin e energjisë elektrike, i cili është shpërndarë nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në manualin e shpërndarë nga Rizvanolli në Twitter thuhet se 40 për qind e energjisë elektrike që konsumojmë vjen nga ndriçimi.

E për të kursyer energjinë, Qeveria bën thirrje që t’i fikni dritat kur dilni nga dhoma, t’i zëvendësoni poçet elektrik me ata me eficiencë të lartë (LED), të shfrytëzoni dritën natyrore gjatë ditës dhe të vendosni senzorët e efiçiencës.

Bëhet thirrje edhe që pajisjet elektrike që konsumojnë më shumë energji, siç janë: rrobalarësja, enëlarësja dhe hekuri për hekurosje të përdoren mes orës 22:00 dhe 07:00, atëherë kur tarifa e ulët është 57 përqind më e lirë se tarifa e lartë.

Në fund të manualit, kërkohet edhe që të shfrytëzoni racionalisht ujin e ngrohtë, të mos i lini ndezur pajisjet elektrike kur nuk i përdorni dhe të përdorni enëlarëset dhe rrobalarëset të mbushura plotësisht.

Rreth dy javë më parë, Ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike gjatë dimrit, duke i shfrytëzuar alternativat tjera për ngrohje.

Në diskutimin me temë “Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë”, Rizvanolli pati thënë se çmimet e importit të rrymës janë pesëfishuar.

Sipas saj, nëse nuk ka kursim të energjisë, duhet të rritet eksporti për çka edhe mund të rrezikohet furnizimi i rregullt me rrymë, por edhe të rriten tarifat nga prilli i vitit të ardhshëm.

“Çmimet e importit janë rritur pesëfish. Është gjendje e jashtëzakonshme. Në mënyrë që kjo krizë sa më pak ta prek Kosovën qytetarët duhet që të kursejnë rrymën, që të shfrytëzojnë burime të tjera të ngrohjes”.

“Moskursimi i energjisë do të thotë edhe rritje e importit dhe mund të ketë pengesa në fuqizim të rregullt, e mund të ketë edhe rritje të tarifave nga prilli i vitit të ardhshëm”, ishte shprehur ajo./SHQIP.com