Lajme

“Qeveria po bllokohet nga grevat” – por jo të gjitha janë pro

Ilustrim

Qeveria e Kosovës është duke u përballur më greva të njëpasnjëshme.

Pas grevës në arsim dhe në administratë civile, tashmë është paralajmëruar edhe ajo nga Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës.

Kryetari i SPJK-së, Bahri Jashari për SHQIP.com ka thënë se greva do të ndalët vetëm nëse reagon Qeveria.

“Sigurisht që nga 1 shtatori edhe ne do të fillojmë me grevë në qoftë se nuk përmbushën kërkesat tona. Ne i kemi kërkesat e qarta të cilat nëse nuk reagon Qeveria do të vazhdojmë më grevë. 100 euro për mbështetje, Ligji i Pagave, Ligji për Sigurime Shëndetësore, pensionale dhe një kërkesë tjetër e kemi që me pas një ligj të veçantë për gjykata dhe administrata shtetërore dhe mos me qenë për Ligjin për Zyrtarë Publikë”.

Kryetari i SPJK-së, Bahri Jashari

Ai tha se ata nuk do të punojnë as edhe një minutë.

“Asnjë minutë të vetëm nuk do të punojnë as në gjykata as në prokurori askund, deri në realizimin e kërkesave tona”.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari ka thënë se nuk do të dorëzohen deri sa të plotësohen kërkesat e tyre për ndarjen e shtesave prej 100 euro dhe implementimin e Ligjit për Pagat.

“Qeveria me dashtë mund t’i realizojë kërkesat tona e jo të vajtojë që po mbesin fëmija rrugëve, po mbesin pa shkolla, e qytetarë pa e nxjerr një dokument. Qeveria le të ulet me ne, le të arrijë një marrëveshje të pranueshme, situata do të qetësohet. Nëse jo, në rrugë të Zotit jemi dhe s’kemi pas rrugë tjetër”.

Jo të gjitha sindikatat janë pro grevës

Kryetarja e FSSHK-së, Tevide Imeri për SHQIP.com ka thënë se nuk e përkrahin këtë grevë, pasi kërkesat që është duke i kërkuar SBASHKU-u ata janë duke i gëzuar.

Kryetarja e FSSHK-së, Tevide Imeri

Ajo tha se e kanë parë të pa-arsyeshme që në kohë pandemie të hynë në grevë për 40 euro.

“Në grevë janë vetëm 3 federata ndërsa 8 tjera nuk janë. Arsyeja pse federata jonë nuk është se SBASHK-u është duke kërkuar 100 euro dhe Ligjin e Pagave. Ne punëtorët shëndetësorë i marrim nga 60 euro si pako dhe i bie që ne me hy në grevë për 40 euro. Thjeshtë e kemi pa të paarsyeshme me hy në grevë për 40 euro në këtë kohë pandemie kur është numri aq i madh i pacientëve me COVID-19. Pastaj Ligji i pagave doli dhe jemi në shqyrtim dhe jemi duke punuar në atë drejtim. Nuk e përkrahim këtë grevë dhe kuptohet që jemi kundër”.

Ndërsa, Jashari ka thënë se i kupton sindikatat që nuk dëshirojnë të marrin pjesë, por kryetarët e tyre duhet që t’i dëgjojnë kërkesat e punëtoreve dhe jo të vendosi vetë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

“I kuptojë policët e të tjerët që nuk hynë në grevë. Mirëpo, kryetarët e tyre duhet t’i dëgjojnë kërkesat, pasi në rrugë e kudo shoh dhe bisedojë me shumë policë e infermierë që janë të pakënaqur me kushtet që kanë”.

SHQIP.com ka dërguar pyetje në Zyrën e kryeministrit, se a do të këtë takim me SBASHK-un dhe a pritet që të kenë kompromise, por të njëjtin kanë thënë se nuk kanë ndonjë përgjigje aktualisht.

“Kryeministri Kurti dje në konferencë për media është deklaruar për grevat. Meqenëse nuk kemi diçka tjetër për momentin, lutemi që t’i referoheni deklarimit të djeshëm të kryeministrit”, thuhet në përgjigjen nga Qeveria.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti ka deklaruar se nuk është koha për greva por për punë, teksa shtoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me sindikatat për t’i parë nga afër kërkesat e tyre.

“Andaj, duam të vazhdoj dialogun social, por nuk mendojmë që është koha për grevë Duhet të ketë emancipim, jemi për dialog social pa kërcënime”, tha ai para gazetarëve.

Shefi i qeverisë theksoi se me Ligjin për Paga të zyrtarëve publikë dhe shërbyesve civilë po vendoset rregull për herë të parë.

“Për grevën e paralajmëruar kemi pasur komunikim me sindikatat, ata janë njoftuar me punën tonë në raport me kërkesat e tyre, edhe sot jemi në komunikim me ta, pas konsultimit për Ligjin e Pagave, kërkesë kjo e kamotshme e tyre, paralajmërimi për grevë i ka humbur kuptimi, kërcënimit për paralizim të institucioneve kur tash ligji për paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa është gabim, nuk është koha për greva, por për punë”, tha ai në konferencën për media.

Sipas tij, tash është koha që sindikatat t’i bëjnë gati komentet për Ligjin për Paga.

“Ne i duam sindikatat jo spektatore por pjesëmarrëse dhe jo vetëm për shërbyesit publik por edhe për zyrtarët publik kur të del në konsultim publik”, përfundoi ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Theksojmë se rreth grevës në arsim ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ajo ka thënë se paralajmërimet e SBASHK-ut për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim./Shqip.com