Qeveria: Ka përparim në dialog sa i përket energjisë dhe çështjes së targave
Zëvendëskryeministri i Qeverise së Kosovës, Besnik Bislimi, të martën është takuar me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i cili takim ka shërbyer për të diskutuar për çështjen e personave të zhdukur pastaj zgjidhja e problemit me energjinë dhe çështja e targave.
Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar se është shënuar përparim në diskutimet për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e energjisë elektrike në Mitrovicën e Veriut.
“Në këto takime u diskutua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për ndjeshmërinë dhe urgjencën e një zgjidhjeje sa më të shpejtë. U fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese. Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Tutje bëhet e ditur se grupet punuese për targat e veturave kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare.
“Çështje tjetër e diskutimit ishte edhe ajo e targave të veturave. Grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare. Takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, thuhet tutje. /Shqip.com