Lajme

“Qeveria nuk duhet të vazhdojë t’i paguajë policën kufitare diasporës”

Policat kufitare

Instituti GAP ka publikuar raportin mbi pagesat e policave nga buxheti i shtetit, ku ka dalë në përfundim se një praktikë e tillë nuk duhet ndjekur në vitet e ardhshme, njofton Shqip.com.

Siç bën të ditur ky institut, me një vendim të tillë po bëhet “shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve”, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare.

“Raporti vlerëson se pagesa e policave kufitare nga buxheti i shtetit nuk do duhet të shërbejë si praktikë edhe në vitet e ardhshme. Kjo për faktin se është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare”, thuhet në raportin e GAP-it.

Polica kufitare

Hulumtimi i GAP-it tregon se shpenzimet e diasporës për policat kufitare kapin rreth 3% të të gjitha shpenzimeve që ata bëjnë në Kosovë.

“Në kushte jashtë pandemie, më shumë se gjysma e diasporës realizon tri deri në katër vizita gjatë vitit në Kosovë, ku qëndrimi zgjat nga dy deri në katër javë, duke realizuar shpenzime me vlerë deri në rreth 4.6% të Bruto Produktit Vendor, apo 328 milionë euro”.

“Kjo pa llogaritur remitencat, të cilat mesatarisht sillen në 620 milionë euro në vit. Duke marrë për bazë shpenzimet mesatare vjetore, shpenzimet e diasporës për policat kufitare kapin rreth 3% të të gjitha shpenzimeve që ata bëjnë në Kosovë”.

Qeveria para verës mori vendim që të paguajë policën kufitare për diasporën dhe më 11 gusht ndau pesë milionë euro për zbatimin e kësaj mase.

Sipas të dhënave nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, deri në fund të muajit gusht 2021, faturat e dorëzuara nga BKS në Thesar për policat e sigurimit kufitar kapin shumën e 2.4 milionë eurove. /Shqip.com