Lajme

Qeveria në hije e PDK-së pranë finalizimit, pjesë e saj edhe disa deputetë të Kuvendit

Qeverisë së Kosovës së shpejti pritet t’i “bashkëngjitet” Qeverisja e mirë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri ka thënë se kjo nismë është në finalizim e sipër dhe ditëve në vijim do të bëhen publik emrat.

“Ky organizim është në finalizim e sipër dhe kush do të jetë pjesë e saj besoj që do ta kuptoni ditëve në vijim. Unë kam angazhim në Parlamentin e Kosovës si shef i Grupit Parlamentar me një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe dhe për emrat që do të jenë pjesë e kabinetit të qeverisjes së mirë të PDK-së, do t’i kuptoni ditëve në vijim”, tha Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media.

Qeverisja e mirë do të përbëhet nga drejtues, zëvendës, koordinatorë e ekspertë të fushave të ndryshme.

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, se kabineti do të ketë ekspert të fushave të ndryshme pa përjashtuar njerëz që mbajnë funksione brenda partisë apo njerëz që kanë funksione edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Rregullativa që kemi miratuar Këshilli drejtues e përcakton që kabineti i qeverisjes së mirë do të jetë i përbërë nga ekspert të fushave të ndryshme pa përjashtuar njerëz që mbajnë funksione brenda partisë apo njerëz që kanë funksione dhe në Kuvendin e Kosovës. Rregullimi i funksionimit të saj është i përcaktuar me këtë rregullore. Kjo do të funksionojë si një Qeveri brenda partisë së PDK-së, do ta ketë drejtuesin e vet, zëvendësit e saj, koordinatorët për departamentet të cilat do të themelohen dhe do ta ketë edhe numrin e caktuar të ekspertëve. Mbledhje të rregullta dy herë në muaj”, tha Gjoshi.

Sipas tij, fokusi kryesor i i këtij kabineti është ta bëjë opozitën karshi Qeverisë dhe të ofrojë ide alternative që kur të mbahen zgjedhjet e ardhshme të dalin fitues.

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi

“Ky kabinet i qeverisje së mirë i ka disa detyra: e para është që ta bëjë opozitën karshi kësaj Qeverie të cilën e kemi dhe do të paraqesë ide alternative se si do të bëheshin punët më mirë dhe do të ofrojë PDK-në me qytetarët e Kosovës që do ta bindë se është alternative e duhur që nesër kur të mbahen zgjedhjet të jemi fitues të atyre zgjedhjeve, ku ato ide do t’i proklamojmë gjatë punës së kësaj Qeverie”, tha ai.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, me 28 mars kanë dhënë dritën jeshile nisjes së themelimit të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë (KQM).

Këshilli Drejtues i PDK-së ka miratuar Rregulloren për funksionimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, që sipas statutit të PDK-së është parakusht për themelimin e KQM-së.

Këtë format opozitarizmi, PDK e kishte praktikuar edhe në vitin 2005-2007 sa ishte opozitë dhe kur drejtohej nga Hashim Thaçi.

Çka është Qeverisja e mirë?

Qeverisj e mirë ose kabineti në hije, ka evoluar nga një proces joformal në Parlamentin Britanik.

Nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Britani, filloi të shfaqej një opozitë e veçantë dhe e organizuar, e cila u bë një grup drejtues për të koordinuar strategjinë e tij ndaj dikastereve të qeverisjes.

Në Kosovë, përmes Qeverisë në hije, për çdo dikaster apo institucion të qeverisë, formohet një “dikaster hije” i opozitës./Shqip.com