Lajme

Qeveria në Ditën e Evropës: Hap pas hapi, Kosova po i afrohet BE-së

Qeveria e Kosovës

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka bërë të ditur se sot shënohet një ditë e rëndësishme në kontinentin tonë, 9 maji, Dita e Evropës.

Sipas kësaj zyre, hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian.

“Në Ditën e Evropës, ne si Qeveri riafirmojmë projektimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Vetëm gjatë vitit të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian si votimi i parë pozitiv në fazat drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian. Qytetarët e vendit tonë, të cilët përqafojnë dhe i mishërojnë vlerat evropiane, mund të ndihen tashmë më afër Evropës. Kosova gjendet në një trajektore të vendosur në rrugën drejt BE-së, në një proces të pakthyeshëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t’i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.

Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

/Shqip.com