Lajme

Qeveria miraton vendimin që t’i kërkojë autorizim Osmanit për transferimin e të dënuarve nga Danimarka në Kosovë

Ilustrim.

Në mbledhjen e 70-të, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që t’i kërkohet presidentes Vjosa Osmani autorizimi për transferimin e të dënuarve nga Danimarka në Kosovë.

Kosova do të pranoj 300 të dënuar në Danimarkë të cilët do të vendosen në njërin nga burgjet e Kosovës.

“Është miratuar vendimi për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës që të japë autorizimin për Ministren e Drejtësisë, për nënshkrim të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan, me qëllim të ekzekutimit të dënimeve për të burgosurit danez”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në këmbim të 210 milionë eurove, Kosova pranoi që t’i lëshojë qeli burgu me qira Danimarkës, për dhjetë vitet e ardhshme.

Marrëveshja për 300 qeli burgu, është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Të burgosurit e Danimarkës pritet të arrijnë në Kosovë në muajt e parë të vitit 2023.

Transferi i tyre do të bëhet me Aeroplan dhe procesi do të realizohet e mbikëqyret nga Danimarka.

Në Burgun e Gjilanit do të bëhen edhe renovime për ta përshtatur objektin sipas rregullave dhe standardeve në burgjet daneze./Shqip.com