Qeveria miraton propozimin e kandidatëve për Bord të AKP-së
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, të martën ka miratuar propozimin e kandidatëve për bord të Agjencisë së Kosovës për Privatizim, njofton Shqip.com.
Emrat të cilët qeveria ka propozuar për t’u bërë anëtarë të këtij bordi janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Kurti tha se ky do të jetë bordi i fundit i AKP-së.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 23 mars 2020 kishte marrë vendim për pezullimin pa afat të të gjitha veprimeve në lidhje me pronat e paluajtshme që ka nën administrim Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ndërkaq më 1 korrik 2020, kishte anuluar vendimin paraprak, ndërsa kishte kërkuar që të mos shpallen valë të reja të privatizimit./SHQIP.com