Ministri i Financave deklarohet rreth pakos prej 420 milionë euro
Qeveria e Kosovës në prezantimin e Pakos së re të Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19 ka thënë se pritet të ndahen 50 milionë euro për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve, shkruan SHQIP.
Sipas njoftimit të bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, 10 milionë euro janë ndarë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 – prill 2021.
“10 milionë euro, Qeveria do t’i ndajë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 – prill 2021. Për çdo të ri të punësuar, Qeveria do ta subvencionoj pagën në 3 muajt e parë në vlerë prej 170 euro në muaj”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, 10 milionë euro janë për mbështetjen e secilit të punësuar të ri që nuk ka qenë i punësuar në tre muajt e fundit e që deklarohet në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ndërsa, 10 milionë euro për punësimin e të rinjtë të moshave 18-24 vjeç.
Pjesa tjetër prej 20 milionë eurove do të ndahen për punësimin e grave, e personave me nevoja të veçanta, për mbështetjen e trajnimeve dhe punësimit në teknologji informative dhe për skemën e granteve për zanatet.
Ditë më parë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte prezantuar këtë Pako, e cila kap vlerën prej 420 milionë euro./SHQIP.com