Lajme

Qeveria mban mbledhjen e 99-të me radhë, këto janë vendimet e marra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, të 99-tën me radhë.

Në këtë mbledhje janë miratuar pesë projektligje, dy rregullore si dhe vendime tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Fillimisht u miratua vendimi për lirim nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër për profesionistët shëndetësorë nga mërgata, të cilët me kërkesë të institucioneve shëndetësore të Republikës së Kosovës, angazhohen përkohësisht në këto institucione.

Në sektorin e Sportit, Qeveria e Kosovës ka miratuar programin për zhvillimin dhe masivizimin e sportit të xhudos në Kosovë.

“Kosova, Shteti i Xhudos”, programi për zhvillimin dhe masivizimin e sportit të xhudos në Republikën e Kosovës, është miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Shuma që parashihet për zbatimin e këtij programi në periudhën pesë vjeçare është 12 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Foto nga mbledhja e Qeverisë

Po ashtu është bërë e ditur se Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Strategjinë e Arsimit 2022-2026 dhe Planin e veprimit, si dokument kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë.

“Strategjia identifikon 5 objektiva strategjik: 1) Përfshirja dhe qasje e barabartë në edukim në fëmijërinë e hershme; 2) Ngritja e cilësisë së arsimit para universitar përmes konsolidimit të mekanizmave për sigurim të cilësisë dhe ofrimit të mësimdhënies cilësore; 3) Harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet dinamike të teknologjisë dhe tregut të punës, në funksion të mësimit gjatë gjithë jetës; 4) Përmirësim të cilësisë, integritetit dhe konkurrueshmërisë së arsimit të lartë; si dhe 5)Përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësim të shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendët e transformimit digjital” thuhet në njoftim.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar pesë projektligje: 1. Projektligjin për Konfliktet Administrative, 2. Projektligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, 3. Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, 4. Projektligji për Mbështetjen e Punëve Publike dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil (KPMShC).

Qeveria po ashtu ka marr vendim që regjistrimi i popullsisë do të realizohet nga data 1 shtator deri me 17 tetor të vitit 2023./Shqip.com

Lexo edhe:
“Më duhet të iki, për fëmijët e mi”