Lajme

Qeveria: I ashtuquajturi Mini-Shengen nuk e ka miratimin tonë

Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e Mini-Shengenit Ballkanik, për të cilën janë takuar sot kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka miratimin e Kosovës, njofton Shqip.com.

Nga zyra e kryeministrit thonë se qëndrimet e tyre dihen dhe nuk kanë ndryshuar. Madje bëhet e ditur se nuk ka pasur ftesë zyrtare për pjesëmarrje në takimin e sotëm në Shkup, ku morën pjesë tre liderët e Ballkanit dhe nënshkruan disa marrëveshje.

“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur “Mini-Schengen”, tashmë janë të njohura. Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim”, thonë nga ZKM.

“Për ne i ashtuquajturi ‘Mini Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thonë më tej nga zyra e kryeministrit.

Më tej, Qeveria u ka bërë thirrje liderëve të rajonit që t’i përkushtohen vetëm agjendës evropiane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrje qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve transatlantike” është thënë më tutje nga Zyra e Kryeministrit. /Shqip.com