Ekonomi

Qeveria ende se ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2024

Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE
Objekti i Qeverisë së Kosovës / Ibrahim Berisha RFE

Qeverisë së Kosovës i kanë mbetur edhe tri ditë nga afati i fundit ligjor për miratimin e buxhetit për vitin 2024, ndërsa opozita kërkon nga pushteti buxhet zhvillimor dhe më shumë buxhet për ushtri, polici, investime kapitale, rritjen e pagave dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se hartimi i buxhetit vjetor për vitin 2024 reflekton programin qeverisës dhe është i koordinuar me vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala shprehet skeptik se do të mund të hartohet një buxhet zhvillimor nga Qeveria e Kosovës për vitin 2024.

Deputeti Shala kërkon që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë i planifikuar, derisa shton se ai i vitit 2023 ka qenë me realizime të mangëta.

Anëtari i Komisionit parlamentar për Buxhet, Shala thotë për KosovaPress, se që Qeveria duhet të mendojë më shumë për investime kapitale.

Ndërsa, deputetja nga radhët e LDK-së dhe njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami ka shprehur shqetësimin e saj sa i përket ndryshimit të strukturës buxhetore ndër vite.

Sipas saj, Qeveria duhet të mendojë që një pjesë të madhe të buxhetit të ndajë në investime kapitale.

Se Qeveria nuk po tregohet transparente për hartimin e buxhetit e thotë edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj. Megjithatë, kjo parti ka dhënë disa propozime se çfarë duhet të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, Ministria e Financave në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë thënë se hartimi i buxhetit vjetor për vitin 2024 reflekton programin qeverisës dhe është i koordinuar me vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023 në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro. /KP

/Shqip.com