Lajme

Qeveria emëron bordin e ri të Postës, Kurti: Asnjëri nuk ka qenë në ndonjë parti politike

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës mbledhjen e së mërkurës ka miratuar shqyrtim-propozimin për zgjedhjen e bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës”, përcjell Shqip.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga Komisioni për vlerësimin e kandidatëve ka marrë propozim që drejtor i Bordit të jetë Fadil Bejta, kurse anëtarë Safije Besemi, Hyrmete Mydyti, Sebahate Krasniqi, Visar Nura, dhe Gëzim Paci.

Kurti theksoi se fillimisht për këtë pozitë kanë aplikuar 90 kandidatë, por që më pas Komisioni Vlerësues ka përzgjedhur 30 prej tyre.

Ai tregoi se paraprakisht janë verifikuar kaandidatët nëse ndonjëri ka qenë më herët pjesë e ndonjë partie politike.

“Besojmë që kjo përbërje është e plotë si për nga fusha profesionale, por edhe për nga përfaqësimi gjinor”, tha Kurti.

Ndërkaq, mandati i tyre do të zgjasë 3 vjet.

Kurse, sa i përket shqyrtimit të masave anti-COVID, Kurti nuk bëri të ditur se do të bëhet një gjë e tillë duke thënë se ato janë vendosur në bazë të propozimeve të ekspertëve mjekësorë.

Sipas tij, masat e rekomanduara nga Instituti i Kosovës për Shëndetësi Publike janë arma e vetme për luftën ndaj COVID-19, teksa bëri thirrje për vaksinim.

“Numër kaq të lartë të rasteve pozitive në ditë nuk kemi pasur që nga muaji gusht, gjendja është e rënduar edhe tani. Ky numër i madh ngrit rastet e hospitalizuara. Të gjithë e dijmë mirë gjendjen dhe kushtet në spitalet tona. Nga COVID humbëm 3 mijë e 2 qytetarë. Qëllimi ynë kryesor është të shpëtojmë jetë ne duhet të kujdesemi që ta izolojmë këtë virus ashtu që të mos izolohemi ne nga virusi.

Vaksinimi dhe zbatimi i masave të rekomanduara nga IKSHPK janë të vetmet armë tona në luftën ndaj këtij virusi. Vlerësimet shkencore i paraprijnë çfarëdo vendimi politik a qeveritar. Ju bëj thirrje që të vaksinoheni dhe ta merrni dozën e tretë”, tha ai./SHQIP.com