Lajme

Qeveria e Kosovës vendos sanksione ndaj Rusisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit që është duke kryer në shtetin e Ukrainës.  

Sanksione janë vendosur edhe ndaj disa individëve në Bjellorusi të cilët janë të përfshirë në këtë aksion të kordinuar kundër Ukrainës.

Sanksionet konsistojnë në:

Ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo etniteteve të sanksionuara. Ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe etnitete në Republikën e Kosovës që të vënë në dispozicion fonde qoftë në mënyrë direkte ose indirekte për individët dhe etnitetet e sanksionuara.

Emrat dhe individëve dhe etniteteve të sanksionuara janë ato të listuara në anekset e akteve rregullative të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Sanksionet do të jenë në fuqi deri në një vendim tjetër dhe pavarësisht nga rrethanat mund të përditësohen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se nuk është hera e parë që Kosova është duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ai ka thënë se Rusia ka ambicie që të shndërrohet në një Perandori dhe se nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike.

“Rusia që po e shohim sot nuk është një Rusi e re por edhe paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re Në fakt ajo dëshiron të jetë prapë e vjetër dhe madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik pra të jetë një Perandori Ruse”

“Sot ditën po e fillojmë duke iu bashkangjitur Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kundërpërgjigjen ndaj agresionit ushtarak duke miratuar një pako të sanksioneve ndaj saj” ka thënë ai.

Kurti ka rikujtuar rolin negativ që ka Serbia në aspektin e sigurisë për vendet fqinje duke e përmendur edhe ushtrimin e përbashkët që ky shtet e ka zhvilluar me Rusinë.

“Kur Kosova dhe aleatët e saj stërviteshin sesi të jenë mbrojtësit e Evropës në anën tjetër fqinji jonë verior dhe Rusia përgatiteshin për kundërpërgjigje të përbashkët dhe për atë që ata e quajnë mburojë sllave.  Le të jetë ky një rikujtim për të gjithë”, është shprehur Kurti.

Sanksionet e vendosura nga Kosova përfshijnë bllokimin e xhirollogarive të atyre personave të cilët konsiderohen se janë të përfshirë në agresionin ndaj Rusisë dhe të cilët janë të lidhur me regjimin politik. Bllokim i aseteve dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë etj.  /Shqip.com