Lajme

Qeveria e konsideron të padrejtë kushtëzimin e BE-së për vizat

Në takimin e nëntë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE në Kuvendin e Kosovës  – Kosovë është diskutuar për progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

Deputeti i Parlamentit Evropian dhe bashkëkryesuesi i komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, Romeo Franz, tha se Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe duhet të trajtohet si çështje urgjente.

Ai me tej, tha se inkurajon vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë me një njohje të ndërsjellët.

“Kosova ka përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se propozimi për liberalizim të vizave është ende në Këshill dhe duhet të trajtohet si çështje urgjente. Nevoja për liberalizim të vizave ka qenë një pozicion shumë i fuqishëm i Parlamentit Evropian i shprehur në rezolutat tona, por edhe takime tona në shumë situata. Kosova meriton liberalizimin e vizave, jemi të bindur se qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave… Po ashtu, inkurajojmë vazhdimin e dialogut të fasilituar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit me një njohje të ndërsjellët, si një marrëveshje themelore dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Ndërsa, deputetja Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova ka shënuar progres përkundër sfidave që ka pasur.

Ajo tha se Kosova ka miratuar 84 ligje dhe 18 marrëveshje ndërkombëtare.

“Kosova ka shënuar progres përkundër sfidave që kemi pasur. Kosova sot rangohet më mirë sipas indeksit të Transparency International dhe është kampione sa i përket reformave në sundimin e ligjit. Parlamenti i Kosovës ka pasur një progres duke miratuar 84 ligje, nga të cilat 18 marrëveshje ndërkombëtare”, tha Kusari-Lila.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se marrëveshjet me Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

“Këto marrëveshje me Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe konfirmojnë orientimin e palëkundur të Kosovës që të bashkëpunojë sa më thellë me BE-në drejt fazave të ardhshme deri në stacionin e fundit që është a anëtarësimi jonë i plotë në këtë institucion të vlerave të drejtave të njeriut, demokracisë që është Bashkimi Evropian”, tha ai.

Ndërsa në emër të Qeverisë së Kosovës, foli ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili adresoi kritika karshi BE-së për liberalizimin e vizave.

Ai tha se përpjekjet për të lidhur këtë proces me ETIAS janë të padrejta, jo-fer dhe të paarsyeshme.

“Aplikacioni ka për synim që të jetë lart në agjendë, sepse Kosova për një kohë të gjatë është lënë prapa në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, po ashtu është injoruar në procese që ka kaluar rajoni, përkundër që ka popullin më pro-evropiane. Procesi i liberalizimit të vizave ka përfunduar te të gjitha pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe tash jemi vendi i vetëm që i nënshtrohemi regjimit të vizave. Përpjekjet për të lidhur këtë proces me ETIAS janë të padrejta, jo-fer dhe të paarsyeshme”, theksoi Krasniqi.

Ky takim I komisionit do të vazhdojë edhe nesër.

/Shqip.com