Lajme

Qeveria del me deklaratë pas takimit, Kurti prezantoi disa kapituj të marrëveshjes që duhet të bëhet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, 18 gusht 2022

Qeveria e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Në deklaratën e tyre thuhet se kishte dy tema në agjentë dhe ky takim është shtyrë – pasi është paraparë që të mbahet me 19 korrik.

Sipas qeverisë, gjatë takimit Kurti ka kërkuar që marrëveshja ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë marrëdhënieve, duke prezantuar disa kapituj për kornizën e saj.

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik./SHQIP.com