Lajme

Qeset e plastikës ende pa pagesë

Ndonëse, autoritetet në Kosovë kishin konfirmuar se nga janari i këtij viti qeset e plastikës do të bëheshin me pagesë, një masë e tillë nuk ka nisur të aplikohet.

Arsyeja e mosaplikimit të kësaj mase, sipas zëvendësministres të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha është mosfinalizimi në tërësi i një udhëzimit administrativ që e rregullon këtë çështje.

“Ky udhëzim administrativ për ambalazh dhe mbeturinat e ambalazhit nuk rregullon vetëm çështjen e qeseve të plastikës, por edhe sistemin e rimbursimit të depozitave për shishet [xham, kanaçe dhe plastikë] dhe te kjo pjesë kemi hasur disa mangësi për rregullimin e të këtij sistemi. Andaj, jemi detyruar që ta shtyjmë miratimin e këtij udhëzimi derisa sa të rregullojmë dhe pjesën tjetër”, thotë ajo.

Sipas Çavdarbashkës, vendosja e një çmimi për qese të plastikës do të jetë fazë tranzitore, pasi që synimi është që në të ardhmen të largohen nga përdorimi qeset e plastikës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndryshe nga Kosova, në Shqipër që nga 1 qershori është ndaluar përdorimi i qeseve plastike.

Në Shqipëri çdo ditë prodhohen 198 ton mbetje plastike. Edhe sipas të dhënave të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve 2010-2025 nga Komisioni Evropian dhe Qeveria shqiptare, në Shqipëri prodhohen 198 tonë në ditë mbetje plastike me densitet të ulët dhe 111 ton në ditë mbetje plastike me densitet të lartë.

/Shqip.com