Lajme

Qerkini: Në marrëveshjen me Serbinë duhet të ketë pikë të veçantë për të pagjeturit

Bajram Qerkini.

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, lidhur me çështjen e personave të pagjetur në Propozimin Evropian e cila po cilësohet si bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për EO, Qerkini thotë se nuk janë kundër dialogut, por duan që çështja e të pagjeturve të trajtohet me seriozitet, sipas konventave ndërkombëtare.

“Atë që jemi duke kuptuar ne, është mëkat shumë i madh, është premtuar, është thënë se kaptina e parë, neni i parë, bisedimet e para do të bëhen për persona të pagjetur. ‘Pa u zbardhur fati i personave të pagjetur ngrihen të gjitha bisedat e tjera’. Ne si familjarë nuk jemi për t’u ngrirë dialogu, por jemi që të jetë një pikë e veçantë për persona të pagjetur dhe të jetë humane, se punët politike të cilat i kanë paraparë në këto 11 pika kanë me vazhduar me vite e vite, se janë punë politike. Këtë pjesë duhet që të jetë si është premtuar dhe si garanton me konventa ndërkombëtare mos të na shkelin të drejta e njeriut. Neve po na shkelin të drejtat e njeriut”, u shpreh Qerkini.

Në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka 11 nene, personat e zhdukur përmenden vetëm në një vend.

“Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike”, thuhet në nenin 6 të marrëveshjes që pritet të nënshkruhet më 18 mars në Ohër.

Kurse, lidhur me ‘persona të zhdukur’, Qerkini thotë se iu janë referuar jo drejtë duke potencuar se bashkësia ndërkombëtare ka borxh ndaj Kosovës që ta detyrojë Serbinë që të tregojë se ku i kanë fshehur personat e pagjetur.

“Keni kujdes se ku e keni vendosur. Është marre që të thuhet këtu ‘për postë’, për s’di çka, e në fund thotë edhe për persona të zhdukur. Këtë term duhet të largohet se nuk janë të zhdukur, ata janë “të marrën peng’. Bashkësia ndërkombëtare na ka borxh që të tregojë ku i ka fshehur Serbia, sepse janë imazhet satelitore”.

Qerkini, i cili e ka ende të pagjetur djalin që nga lufta e vitit 1999, kërkon që termi i “zhdukur” të largohet dhe të përdorur “i marrë me dhunë”.

Madje, ai thotë se premtimi për personat e pagjetur nuk është mbajtur.

“Çka kam hjekë me e rrit, e mos me ditë qe plot 24 vite se ku është. Në prill bëhen dy vite që nuk është mbajtur premtimi për persona të pagjetur, as dialog për persona të pagjetur. Ku është faji, a është faji te ndërkombëtarët apo tek ne vetë si shtet, apo njerëzit që janë duke e udhëhequr dialogun. 90 për qind ne i kemi fajet, nuk mund të premtojmë diçka kur nuk jemi të zotë të realizojmë. Duhet të dalin dhe të shpjegojnë se nuk po na lejojnë ndërkombëtarët për zbardhjen e fatit të pagjetur. Ku është qëllimi, ku është esenca, pse nuk po dalin?. Neve na vyejnë negociatat, nuk është Millosheviqi… duhet që të bisedohet me ta dhe të kërkohet nonstop ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.

Tutje, këtë gjë Qerkini e quan neglixhencë dhe mosdije.

/Shqip.com