Lajme

“Qëndrimi juaj më kujton Nënë Terezën” -Zelensky falënderon Shqipërinë për mbështetjen

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky gjatë adrestimit në Parlamentin e Shqipërisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky po mban fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është adresuar Kuvendit të Shqipërisë përmes një video-lidhje.

Fjalimin e tij e nisi duke ua uruar Festën e Fitër Bajramit.

“Ju përgëzoj për këtë festë. Ju uroj atë që të gjithë ukrainasit ia urojnë njëri tjetrin, paqen. Gjatë këtij muaji, myslimanët e Ukrainës dhe shoqërisë sonë nuk kanë patur asnjë gjë paqësore”, tha Zelensky në fillim të fjalimit.

Zelensky ka thënë se është mirënjohës ndaj Shqipërisë që nuk ka hezituar ta mbështesë.

Ai ka thënë se ky qëndrim i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën ta kujtojë Nënën Terezë.

Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mbështesni askënd, nuk mendoni kë do të mbështesni jeni në anën e lirisë. Faleminderit për mbrojtjen e hapur. Ky qëndrim i juaj, më bën të kujtoj Shën Terezën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen. Besoj se duke punuar së bashku me gjithë europianët, ne do jemi në gjendje ta ndalojmë këtë luftë”, ka thënë ai.

Presidenti i Ukrainës, vijoi të tregojë se Rusia në vazhdimësi po sulmon shtetin të cilin ai e udhëheqë.

“Që prej 24 Shkurtit, Rusia i ka kthyer të gjitha ditët tona në një rrezik vdekjeprurës. Në qytetin e Odesës një djalë 14-vjeçar ka humbur jetën. I plagosur ka mbetur një vajzë 17-vjeçare”.

“Në qytetin tonë më të madh të Kharkiv, një e pesta e shtëpive janë shkatërruar tashmë. Granatimet vazhdojnë. Duke folur për një qytet, në Mariupol u shkatërrua tërësisht. Nuk ka asnjë ndërtesë”, u shpreh Zelensky.

Më tej ai tha se Rusia nuk i ka kursyer as objektet fetare.

“Rusia është kërkuar të pushonte zjarrin të paktën në Pashkët ortodokse. Nuk është përgjigjur. Mendoni, vetëm 86 objekte fetare u dëmtuan nga granatimet. Ushtria ruse nuk po përpiqet të mbrojë asnjë objekt të kishës, qoftë edhe objekte të kishës ruse nga granatimet e saj. Ata nuk duan të ndalojnë”, tha Zelensky para deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë.

Zelensky po i drejtohet Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë – nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.

Shqipëria është rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetjen e Ukrainës, duke bashkëvepruar me aleatët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus./Shqip.com