Lajme

Qehaja nuk pret as sivjet rezultat të mirë në PISA: Sistemi ynë arsimor ka shumë mangësi

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nuk pret ndonjë rezultat të mirë në testin PISA.

Qehaja ka thënë se arsyet janë të shumta por kryesorja është sistemi jo i mirëfilltë arsimor.

“Ne nuk besojmë që mund të ketë një rezultat më të mirë në testin PISA për plot arsye dhe më kryesorja ajo e një sistemi jo të mirëfilltë arsimor. Ato mangësi që i kemi në kurrikulë, planprograme, tekste metodologji të mësimdhënies, infrastrukturë, gjitha këto së bashku e bëjnë të pamundur që edhe statistikisht të kemi një performancë më të mirë të nxënësve tanë në këtë testim”, ka deklaruar ai.

Qehaja ka de4klaruar se mund të kemi rangim më të mirë të rastësishëm.

“Subjekt nga rangimet e vendeve të tjera, mirëpo përmirësim në rezultat nuk mund të ketë për shkak që ai ndryshimi i vërtetë, i cili kthehet në rezultat më të mirë duhet të vijë nga sistemi arsimor, nga kurikula; e për të ndodhur diçka e tillë duhen vite në mënyrë që e njëjta të kthehet edhe në pikësim”, ka thënë ai.

Qehaja ka thënë se qëllimi i Kosovës nuk duhet të jetë testi PISA, por përmirësimi i arsimit si interes shtetëror dhe përgjegjësi karshi të rinjve.

“Qëllimi ynë nuk duhet të jetë testi PISA vetëm. Qëllimi ynë duhet të jetë përmirësimi në arsim si interes shtetëror, si interes dhe përgjegjësi karshi të rinjve brenda sistemit arsimor, dhe pastaj kur kemi një kurrikulë më të mirë, tekste më të mira shkollore, infrastrukturë më të mirë, llogaridhënie dhe përgjegjësi brenda sistemit arsimor, atëherë dhe një performancë më e mirë në test PISA do të vijë si diçka që do të paraqitej shumë natyrshëm”, tha Qehaja.

Në fund të muajit prill, pritet që nxënësit e shkollave të mesme t’i nënshtrohen Testit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA). Në testin e fundit, nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës u ranguan në vendin e tretë nga fundi.

Testi PISA mat shkathtësitë dhe aftësitë e nxënësve në matematikë, shkenca dhe gjuhë, të gjitha këto të standardizuara nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) është një studim mbarëbotëror i OECD-së në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.