Lajme

Qalaj: Osmani, Kurti e Gërvalla s’kanë fare prezencë në rastin e Dick Martyt

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një intervistë për SHQIP.com akuzon ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për mos përfshirje në çështjen e Dick Martyt.

Qalaj thotë se Kosova ka “diplomaci pasive”, ndërsa, aktivizim kërkon edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti

“Zotëri Drecun dhe gazeta Kurir kanë filluar një fushatë gjoja të gjetjes të fakteve të reja për trafikim organesh në Kosovë, thjesht për të zhvendosur vëmendjen dikund tjetër. Po ashtu duke e pas parasysh që e kemi një diplomaci kosovare shumë pasive, në fakt unë nuk jam duke parë asgjë se çka po bën ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diaspores, Donika Gërvalla. Ajo, me të vërtetë nuk di pse është ministre e Jashtme. Po ashtu presidentja e vendit e kryeministri.. tash është momenti ideal ku duhet të angazhohemi të gjithë, të jenë prezent të gjithë mekanizmat sidomos në Bashkimin Evropian. S’kanë prezencë fare”, u shpreh ai.

Ndërsa, thekson se Osmani do duhej të takohej me ambasadorin e zvicrës në Kosovë, për të kërkuar sqarime rreth çështjes së Dick Martyt.

“Ka qenë shumë e lehtë që presidentja e vendit ta thërrasë ambasadorin zviceran dhe të kërkojë sqarime zyrtare në lidhje me kërcënimet ndaj senatorit Dick Marty. Mos ta keqkuptojmë, se unë s’kam asnjë respekt për Martyn sepse është personi që e ka krijuar një raport, e pikërisht ky raport është krijuar nga çarçet serbe dhe ruse dhe ato kanë ndikuar tek ky raport i Dick Martyt, mirëpo momentumi kur është  kërcënuar pas shkuarjes në Hagë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e të tjerëve ka qenë shumë senzativ. Vetëm paramendoni se çka kishte ndodh me Kosovën po të ishte vrarë Dick Marty dhe po të ishin fajësuar shqiptarët”, u shpreh Qalaj.

Qalaj ka shtuar se sigurisht, AKI-ja duhet të bashkëpunojë me shërbimin inteligjent zviceran edhe me shërbimet tjera të shteteve partnere mirëpo po e them se komplet shteti duhet të angazhohet dhe tek e fundit këtu nuk kemi të bëjmë me parti politike por me luftën e UÇK-së. E lufta e UÇK-së është baza e lirisë së Kosovës./Shqip.com

———————————————————————————————————-

Qalaj: Xhelal Sveçla është ministër, drejtor edhe zëdhënës i Policisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj thotë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është duke e luajtur rolin e drejtorit të Policisë së Kosovës.

Sipas Qalajt, Sveçla është duke u “përzier” në punët e policisë.

“Realisht drejtori i Policisë është ministri aktual faktikisht është drejtori Samedin Mehmeti por rolin e tij është duke e luajtur ministri aktual Xhelal Sveçla. Ai (Sveçla) është edhe ministër, edhe drejtor, edhe drejtor departamenti, i shërbimeve mbështetëse edhe zëdhënës i Policisë e të gjitha”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Qalaj thotë se drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Samedin Mehmeti, është i ndikuar politikisht.

“Mendoj që drejtori aktual e ka humbur integritetin nëse ka pak integritet mirëpo e ka dëmtuar shumë institucionin e Policisë së Kosovës. Nëse për diçka do të mbahet mend, atëherë sigurisht për shkak se e ka dëmtuar institucionin në raport me pavarësinë që e ka pas ndaj politikës në përgjithësi”, ka thënë Qalaj për SHQIP.com.

————————————————————————-—————————

Qalaj: Serbia ka koordinuar sulmet në veri për të tërhequr vëmendjen nga çështja e Dick Martyt

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj duke folur për sulmet në veri të vendit, thotë se është plan i Serbisë për ta tërhequr vëmendjen e publikut.

Qalaj në një intervistë për SHQIP.com, u shpreh se cështja e Dick Martyt ka bërë që Serbia të nis sulme në veri.

“Unë mendoj se këto sulme janë të koordinuara nga jashtë Kosovës. Këto zhvillime që janë duke ndodh në Kosovë dhe rreth Kosovës dhe tendenca e shtetit serb është të bëjë diçka në mënyrë që të orientohet dikund tjetër vëmendja e publikut e jo nga ato zhvillime që janë shumë të rëndësishme siç është kërcënimi ndaj ish-senatorit Dick Marty edhe pastaj cështjet tjera që lidhen me vendin”, tha Qalaj.

“Zakonisht, sa herë ka diçka të rëndësishme rreth Kosovës, Serbia fabrikon situata të tilla në këtë rast incidente të tilla duke shfrytëzuar elementët kriminal të cilat jetojnë në Kosovë. Në këtë rast ka shumë individë që janë larguar nga Kosova për shkak se janë në ndjekje nga PK pikërisht për shkak të pjesëmarrjes në kontrabandë dhe krim të organizuar.

Ai ka shtuar se këto elemente e shfrytëzojnë territorin serb që t’i sulmojnë policët e Kosovës dhe pastaj kthehen prapë në territorin serb.


Qalaj: Sulmet në veri kanë për qëllim vrasjen e policëve të Kosovës

Sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit i quan si tentim për vrasje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.

Qalaj në një intervistë për SHQIP.com, i ka quajtur “sulme të koordinuara nga jashtë Kosovës”, incidentet në veri.

“Këto incidente kanë qenë të planifikuara sipas meje dhe qëllimi i kriminelëve që kanë shtënë në drejtim të policëve të Kosovës ka qenë që t’i vrasin, nuk ka ndonjë shpjegim tjetër. Kam dëgjuar shumë intervista dhe opinione që qëllimi i tyre ka qenë që t’i frikësojnë policët e Kosovës mirëpo mendoj që qëllimi i tyre ka qenë që t’i vrasin policët. Këtë e them duke u bazuar në fotografitë që i kemi pa, ku shihet goditja e predhave që ka qenë në drejtim të veturës së Policisë dhe po ashtu hedhja e granatave të dorës që konsiderohet armë shumë e rrezikshme. I vetmi qëllim ka qenë që të vriten policët e Kosovës”, u shpreh Qalaj.

Deputeti i PDK-së, po ashtu ka folur edhe lidhur me rastin e fundit për planifikimin e vrasjes së senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet serbe.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ndër të tjerash është shprehur i zhgënjyer me punën e diplomacisë kosovare në lidhje me raportimet për kërcënim me vrasje ndaj Martyt.

Sipas Qalajt, presidentja Vjosa Osmani është dashur ta thërras në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë dhe të kërkojë sqarime shtesë rreth kësaj çështje./Shqip.com