Lajme Botë

Putini thotë se Perëndimi po e dëshiron shkatërrimin e Rusisë

Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte parasysh aftësitë bërthamore të NATO-s pasi aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA po kërkonte humbjen e Rusisë.

“Në kushtet e sotme, kur të gjitha vendet kryesuese të NATO-s kanë deklaruar qëllimin e tyre kryesor si shkaktimi i një humbje strategjike ndaj nesh, në mënyrë që populli ynë të vuajë siç thonë ata, si mund t’i injorojmë aftësitë e tyre bërthamore në këto kushte?”, tha Putin, raporton The Guardian.

Sipas Putinit, Perëndimi po synon që ta shpërbëjë Rusinë.

“Ata kanë një qëllim: të shpërbëjnë ish Bashkimin Sovjetik dhe pjesën themelore të tij, Federatën Ruse,” tha Putin, sipas Tass.

Ndërsa, Perëndimi e quan Putinin si përgjegjës për krimet e kryera në Ukrainë.

Kujtojmë se Duma e cila është Dhoma e ulët e Parlamentit të Rusisë ka votuar për pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në Traktatin për kontrollimin strategjik të Armëve Bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

Votimi u bë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi një ditë më herët se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në Traktatin “New Start”.

“Unë jam i detyruar të njoftoj sot se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në armët sulmuese strategjike traktat”, tha Putin gjatë një fjalimi drejtuar popullit.

Ai thotë gjithashtu se Rusia duhet të jetë gati të testojë armët bërthamore në qoftë se SHBA e bën këtë së pari.

Çfarë është traktati “New Start”

I nënshkruar në vitin 2010 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, dhe homologu i tij rus, Dmitry Medvedev, traktati START-i Ri kufizon numrin e kokave bërthamore për SHBA-në dhe Rusinë.

Ky traktat hyri në fuqi në vitin 2011 dhe më vonë – më 2021, kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden, mori detyrën – u zgjat edhe për pesë vjet të tjera. Përmes këtij traktati angazhohen inspektorë amerikanë dhe rusë për t’u siguruar që të dyja palët po e respektojnë traktatin, raporton REL.

Sipas marrëveshjes, Moska dhe Uashingtoni zotohen të vendosin jo më shumë se 1.550 koka bërthamore strategjike dhe maksimumi 700 raketa dhe bombardues me rreze të gjatë veprimi.

Secila palë mund të kryejë deri në 18 inspektime në vit në vendet strategjike të armëve bërthamore për t’u siguruar që pala tjetër po e respekton traktatin.

/Shqip.com