Lajme Botë

Putin vazhdon shtypjen e mediave të pavarura, mbi 150 gazetarë e kanë ikur nga Rusia  

Të paktën 150 gazetarë besohet se janë larguar nga Rusia ditët e fundit pasi autoritetet nisën një  fushatë të  ashpër duke mbyllur edhe ato pak media të lira që janë në Rusi. 


Një ligj i ri i nënshkruar nga presidenti, Vladimir Putin, dënon shpërndarjen e “informacioneve të rreme” për Forcat e Armatosura Ruse deri në 15 vjet burg. Autoritetet ruse kanë bllokuar gjithashtu disa faqe interneti të pavarura të lajmeve ose i kanë detyruar të fshijnë artikuj që i referohen luftës si një “luftë” ose “pushtim” dhe jo një “operacion special ushtarak”.

Një numër i mediave perëndimore kanë pezulluar raportimet e tyre brenda Rusisë, duke përfshirë BBC, CNN dhe Bloomberg, në mënyrë që të vlerësojnë implikimet e ligjit të ri.

“Shumica e punonjësve të shërbimit rus të BBC-së (të paktën 15 persona), Bloomberg dhe [RFE/RL e financuar nga SHBA] u larguan nga Rusia”, kanë raportuar mediat. 
Rusia ka kryer një goditje të paprecedentë ndaj zërave të pavarur dhe kritikë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. 

Dozhd, Ekho Moskvy dhe Znak janë mbyllur pasi janë bllokuar nga autoritetet, ndërsa Meduza dhe Mediazona vazhdojnë të operojnë pavarësisht se janë bllokuar. Novaya Gazeta ka fshirë të gjithë mbulimin e vjetër të pushtimit.

Mediat e kontrolluara nga shteti kanë përforcuar ndërkohë narrativat zyrtare për “operacionin special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës.