Lajme

Putin thotë se marrëveshja e grurit mund të rifilloj vetëm pas hetimit për sulmin në Krime

Presidenti rus, Vladimir Putin i tha presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë një telefonate se çdo rifillim i marrëveshjes së grurit mund të konsiderohet vetëm pas një hetimi për sulmin me dron në Sevastopol, sipas një njoftimi nga Kremlini të martën.

Siç raporton CNN, dy liderët mbajtën një telefonatë të martën pas vendimit të Rusisë për të pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e eksportit të grurit të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara me Ukrainën gjatë fundjavës, pas akuzave për sulme me dronë në qytetin e Krimesë, Sevastopol.

Ukraina nuk ka komentuar mbi sulmet me dron kundër Sevastopolit.

Të shtunën, një zyrtar i lartë ukrainas akuzoi Rusinë për shpikjen e “sulmeve terroriste fiktive” në objektet e veta dhe fajësoi Moskën për “shantazh” në pezullimin e marrëveshjes së grurit.

Sipas presidencës turke, Erdogan i tha Putinit se ishte i sigurt se “bashkëpunimi i orientuar drejt zgjidhjes” mund të krijohej në lidhje me marrëveshjen e grurit.

Ankaraja do të “vazhdojë të marrë iniciativat e nevojshme me të gjitha palët për zgjidhjen e problemeve në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Stambollit për dërgesën e grurit”, tha presidenca turke në një postim në Twitter.

“Duke shprehur besimin e tij se do të vendosin bashkëpunim të orientuar drejt zgjidhjes për këtë çështje, presidenti Erdogan tha se nëse e zgjidhin krizën e grurit me një qasje konstruktive, do të kenë gjithashtu hapa inkurajues për kthimin në negociata”, shtoi Presidenca.

/Shqip.com