Lajme

Putin i quan të pashmangshme sulmet ajrore në Ukrainë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka pasur telefonatën e tij të parë me Putinin që nga mesi i shtatorit. Siç pritej, biseda nuk ka sjell përparim, por vetëm disa nuanca janë interesante.

Në një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, kancelari Olaf Scholz dënoi sulmet e fundit ajrore ruse kundër infrastrukturës civile në Ukrainë dhe kërkoi një zgjidhje diplomatike.

Sipas zëdhënësit të qeverisë Steffen Hebestreit gjatë bisedimeve me Putinin, Scholz theksoi “vendosmërinë e Gjermanisë” për të mbështetur Ukrainën në sigurimin e aftësisë së saj për të mbrojtur veten kundër agresionit rus.

Sipas Kremlinit, Putin i quajti sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë “të nevojshme dhe të pashmangshme”.

“U nënvizua se forcat e armatosura ruse kanë shmangur prej kohësh sulmet me raketa me precizion të lartë kundër objektivave të caktuara në Ukrainë, por në funksion të sulmeve provokuese në Kiev, masa të tilla janë bërë të nevojshme dhe të pashmangshme”, thuhet në deklaratën ruse.

Ndoshta Putin po i referohej sulmeve me raketa në urën e Krimesë mbi ngushticën e Kerçit. Prandaj, ai denoncoi gjithashtu mbështetjen ushtarake të Perëndimit për Ukrainën si “shkatërruese”. Kjo ishte telefonata e parë e Putinit me Scholz që nga mesi i shtatorit.

“Kancelari i kërkoi Presidentit rus që një zgjidhje diplomatike, duke përfshirë tërheqjen e trupave ruse, duhej gjetur sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i qeverisë Hebestreit.

Siç raporton mediumi gjerman, NTV, ata kanë folur edhe për situatën globale të ushqimit, e cila ishte veçanërisht e tensionuar si pasojë e luftës së agresionit rus.

Scholz dhe Putin theksuan “rolin e rëndësishëm të marrëveshjes së grurit të zgjatur së fundmi nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara,” shpjegoi Hebestreit.

Sipas Hebestreit, Scholz dhe Putin kanë rënë dakord të qëndrojnë në kontakt.

/Shqip.com