Lajme

Pushteti i vendosur për të vazhduar punën e Kuvendit, opozita e akuzon për dështim

Seanca e Kuvendit të Kosovës

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur për të vazhduar punën e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përleshjes fizike në seancën e fundit dhe paralajmërimeve të organizatave të dala nga lufta se do t’i pengojnë deputetët të hynë në Kuvend, pas përjashtimit të tyre nga rritja e pagës minimale.

Mirëpo, në Partinë Demokratike të Kosovës, e akuzojnë mazhorancën se përmes polarizimit të skajshëm me opozitën, po dëshiron t’i mbulojë dështimet e qeverisë.

Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se tensionet në Kuvend kanë krijuar një klimë përçarëse brenda grupeve parlamentare në legjislativ dhe se mund të dëmtojnë mbarëvajtjen e rregullt të seancave plenare.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja thotë për KosovaPress se Kuvendi i Kosovës do të përmbyllë me sukses sesionin pranveror dhe se askush nuk mund të pengojë punën e këtij institucioni.

Ai deklaron se për shkak të vizitës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca në Strasburg të Francës, nuk është mbledhur Kuvendi gjatë kësaj jave.

Deputeti i mazhorancës akuzon opozitën, në veçanti deputetët e PDK-së, se kanë tendencë për përdorim dhune në Kuvend, siç thotë ai, për shkak të humbjes së privilegjeve financiare që i kanë pasur më herët.

Mirëpo, të kundërtën e thotë deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Ai deklaron për KosovaPress se Qeveria Kurti po tenton t’i mbulojë dështimet e veta duke provokuar dhe sulmuar opozitën.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj thotë për KosovaPress se grushtimi në Kuvend ndërmjet ministrave dhe deputetëve të PDK-së, ka krijuar polarizim të skajshëm mes pushtetit dhe opozitës.

Kjo sipas tij, mund të cenojë punën e rregullt në seanca plenare, derisa potencon se legjislativi deri tani ka pasur performancë të dobët.

Rrahja në Kuvend (13 korrik) ka nisur gjatë kohës sa ka qenë duke folur kryeministri Albin Kurti. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi, në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “pinokio”. Ajo fotografi është larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Pas kësaj, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është afruar për ta lagur me ujë kryeministrin Kurti. Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një fashikull e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin, i cili ka gjuajtur me shishe të ujit Lushtakun. Pastaj, aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së, të cilët janë përfshirë në rrahje.

Pas tensioneve, deputetët opozitarë janë larguan nga salla, ndërsa mazhoranca ka vazhduar seancën plenare, me ç’rast ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh, mes tjerash edhe Ligjin për pagën minimale, pa i përfshirë kategoritë e dala nga lufta. Miratimi i projektligjit në fjalë ka nxitur reagimin e këtyre kategorive, të cilat kanë paralajmëruat se në seancën e radhës të Kuvendit, do të protestojnë dhe pengojnë hyrjen e deputetëve në objektin e Kuvendit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës e ka kontestuar seancën e 13 korrikut, në të cilën janë miratuar këto projektligje, në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre, është thirrur në shpërputhje me rregulloren e Kuvendit.

Po ashtu, AAK-ja e ka dërguar Ligjin për pagën minimale në Gjykatën Kushtetuese. /KP

/Shqip.com