Lajme

Pushohet procedura penale ndaj Haradinajt dhe të tjerëve në rastin Kuvendi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Është pushuar procedura penale ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shtatë të akuzuarve të tjerë të cilët në vitin 2015 akuzoheshin se kishin penguar zyrtarët policor në arrestimin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën e prokurorisë pasi lënda është parashkruar.

Procedura penale është pushuar ndaj Rexhep Selimit, Lah Ibrahmiaj, Zafir Berisha, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Ymeri.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbrojtësi i Daut Haradinajt, avokati Kujtim Kërveshi.

Në aktvendimin e shkallës së parë, thuhet se në këtë çështje ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Në rastin konkret, sipas aktakuzës vepra penale është kryer me datë 17.11.2015 dhe nga koha e kryerjen së veprës penale të pretenduar, kanë kaluar më shumë se gjashtë (6) vjet. Andaj, gjykata konstaton se në këtë çështje penale parashkrimi absolut i ndjekjes penale ka arritur me datë 17.11.2021.”, thuhet në vendimin e gjykatësit Ngadhnjim Arrni të marrë më 21 mars 2022, e të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, konform dispozitave ligjore, të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës fillestare të ngritur më 15 mars 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri akuzoheshin se së bashku me Donika Kadaj-Bujupin, Pal Lekajn, Haxhi Shalën dhe Fisnik Ismajlin, në hyrje të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas një mosmarrëveshje paraprake e në bashkëkryerje, në grup e me dashje kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ndërsa, sipas aktakuzës së precizuar më 13 mars 2018, për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” akuzoheshin vetëm Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri. /Shqip.com