Lajme Punëtorja e Autoritetit të Aviacionit Civil shkon me vonesë dhe del më herët nga puna, pjesa më e madhe e tyre me arsyetimin se jeton në periferi të Prishtinës dhe përballet me kolona

KPMSHCK ia arsyeton shërbyeses civile vonesat në punë shkak i kolonës

Autoritetit të Aviacionit Civil

12 herë rresht brenda muajit shkurt, punëtorja e Autoritetit të Aviacionit Civil shkoi me vonesë dhe doli më herët nga puna.

Pjesa më e madhe e tyre me arsyetimin se jeton në periferi të Prishtinës dhe përballet me kolona.

Kjo bëri që asaj t’i shqiptohet vërejtje nga drejtori i përgjithshëm i AAC-së.

Vërejtja e shqiptuar nga drejtori i përgjithshëm i AAC-së

Por, vërejtja ndaj saj u hodh poshtë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pasi punëtorja u ankuar ndaj vendimit.

Në dokumentin e siguruara nga SHQIP.com të lëshuar nga ky kolegj  thuhet se kohën e humbur ajo e kishte kompensuar duke mos e shfrytëzuar pauzën e drekës.

Dokument: Vërejtja ndaj saj u hodh poshtë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Dokument: Arsyetimi nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

“Vërejtja e shqiptuar nga drejtori i përgjithshëm i AAC-së nuk është bazuar në faktet dhe rrethanat, sepse nuk janë marrë parasysh arsyetimet lidhur më vonesat në punë, pasi ajo jeton në periferi të qytetit të Prishtinës dhe se shpesh herë komunikacioni është i stërngarkuar dhe se në ditët kur është vonuar në punë nuk e ka shfrytëzuar orarin e drekës/pauzës dhe i ka kompensuar në punë”, thuhet në vendim.

Ndërsa në rastet kur ajo ka dalë më herët nga puna dhe pretendimet e drejtorit se nuk i ka plotësuar 8 orët e punës, në vendimin e këshillit thuhet se sistemit i regjistrimit të hyrje-daljeve kishte pasur probleme, për çka kishte regjistruar kohën gabimisht.

Drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi.

Dokument: Vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

Me këtë vendim të këshillit nuk pajtohet drejtori i këtij AAC-së, Bujar Ejupi, i cili tha se rastin e kanë dërguar në Gjykatë.

“Nuk jemi pajtuar më vendimin e Këshillit të Pavarur dhe kemi marrë veprime tjera, ku kemi dërguar padi në Gjykatë në lidhje me vendimin. Nëse fitojnë në Gjykatë së paku kthehet vërejta që është larg, mirëpo kjo është e pakuptimtë, pasi ajo duhet me pas efekt të menjëhershëm dhe jo pas 1 apo 2 vite sa vonohet në shqyrtim në Gjykatë.

Vërejtja e shqiptuar nga drejtori i përgjithshëm i AAC-së

Ejupi tha se është paradoksale se si pas vërejtjes së marrë, punëtorja në fjalë ka mundësi që të vijë me kohë në punë dhe më parë jo.

“Është paradoksale se pas vërejtjes ajo ka filluar me ardh me kohë dhe është përmirësuar vijueshmëria. Qysh mundet më u arsyetua kur më parë nuk ka arrit më ardh në punë dhe tash po. Kjo tregon se ajo ka mundur që të jetë e njëjtë edhe më herët dhe del këshilli thotë se ajo ka pasur të drejtë’, tha ai.

Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Shamolli: Orari i punës nuk negociohet dhe mosrespektimi përben shkelje

Në anën tjetër, Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se mosrespektimi i orarit të punës është shkelje.

“Mosrespektimi i orarit të punës është shkelje. Orari i punës është fiks dhe nuk është për me u negociua”, tha ai për SHQIP.com

Derisa, shton se edhe kompensimi i kohës së humbur me pauzën nuk mund të bëhet.

“Tjetër pushimi i drekës duhet më u shfrytëzuar në gjysmë të orarit dhe ka rregullore për këtë, ky orar është i dizajnuar për më hëngër bukë jo më dal edhe me u largu. Nuk lejohet as punëdhënësi që të shkurtojë orarin e punës se është sektor publik, nuk mundet me negociua kurrkush”.

Ai ka thënë se mosarritja e orëve të punës dërgon në mungesa të paarsyeshme.

Kryetari i KPMSHCK-së, Jeton Koca

Koca: Nuk mund ta komentoj vendimin

Megjithatë, vendimin vazhdon të mbroj kryetari i KPMSHCK-së, Jeton Koca.

“ Ky është vendim i kolegjit, nuk është i kryetarit dhe nuk i komentojmë, pasi i japim mundësi palës që ta dërgojë në Gjykatë vendimin. E kemi nënshkruar ne tre anëtarët. Nëse nuk kam dhënë mendim mospajtues, normal që pajtona, por koment nuk kam”.

Në anën tjetër, Ejupi thotë se pas këtij vendimi është vështirë të mbahet vijueshmëria e rregullt e punëtorëve.

“Mbas këtij vendimi është vështire që më mbajt rregull në institucion sa i përket vijueshmërisë, pasi kjo është diskriminuese për njerëzit tjerë që janë të rregullt sa i përket vijueshmërisë. Ka nga ta që udhëtojnë edhe nga qytete tjera dhe nuk kanë ndonjë mungesë”, shtoi ai për redaksinë duke ju referuar emalit të dërguar.

Ndryshe që nga 1 janari i vitit 2022 e deri me 15 korrik ka pasur 542 ankesa për shërbyes civil./SHQIP.com