Lajme

Punëtorët e QKMF-së në Prishtinë protestuan për mosekzekutimin e pagave

Protesta/ilustrim

Protesta e punëtoreve shëndetësore të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka filluar.

Kryetari i Shoqatës Sindikale, Sherif Makolli, tha se protesta zgjati 15 minuta dhe se shërbimet për pacientë nuk do t’i pezullojnë.

Ai tha se si sindikatë do të përdorin mjetet e tyre.

“Përmes kësaj proteste 15 minutëshe shprehim pakënaqësitë tona dhe indinjatën tonë. Po luajnë me dinjitetit e punëtorit shëndetësorë. Ju e dini sa kemi punu gjatë pandemisë, si sindikatë do të vazhdojmë të përdorim mjetet tona”.

E sa për koeficientet e Ligjit të Pagave, tha se ka vend për përmirësim.

“Jemi në një protestë për të shprehur pakënaqësitë tona. Koeficientet që kanë dal në horizont, nuk janë për tu hedhur poshtë, por ka vend për përmirësim”.

Sipas tij, janë detyruar që kohën e pauzës ta shfrytëzojnë për këtë protestë. Ai kërkoi nga institucionet që të ndërmarrin hapa në këtë drejtim.

Leonora Shala punonjëse në QKMF tha se mosekzekutimi i pagave i ka dëmtuar shumë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

“Sa i përket ekzekutimit të pagave, sot është bërë vetëm pjesërisht, pra vetëm një pjesë e organizatave buxhetore është arritur të bëhet ekzekutimi i pagave, për shkak siç e dini procesimi dhe përgatitja e llogaritjes së listës së pagave merr kohe dhe zakonisht ky proces fillon në mes të muajit, kur organizatat buxhetore i dorëzojnë listat e personelit që duhet paguar dhe pastaj kjo procesohet dhe bëhen llogaritjet e nevojshme që të dërgohen në Bankën Qendrore dhe në llogaritë bankare të përfituesve”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës./SHQIP.com