Ekonomi

Punëtorët e privatit kërkojnë që paga minimale të jetë mbi 400 €

Euro / Ilustrim
Euro / Ilustrim

Ligji për Pagën Minimale i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, është kontestuar nga shumë ata që nuk e gëzojnë të drejtën e rritjes së pagës si dhe nga subjektet politike, të cilat i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi për rritjen e pagës minimale në Kosovë, nuk po mirëpritet as nga sektori privat i Kosovës. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se punëtorët presin rritje më të lartë të pagës minimale, derisa thotë se qeveria me këto politika, është duke e humbur fuqinë punëtore.

“Të gjithë ata punëtorë që do të paguhen me këtë pagë minimale janë këta punëtorë që kryejnë shërbime për institucione shtetërore si: kompanitë private kanë marrë tenderë për kryerjen e shërbimeve në institucione shtetërore p.sh pastrimin e objekteve të qeverisë, mirëmbajtjen e spitaleve dhe objekteve të tjera, kjo do të jetë me efekt negativ. Ne mendojmë se kjo duhet të jetë patjetër 450 euro për këtë vit dhe 500 vitin tjetër. Për një kohë shumë të shkurtër, humbësi më i madh do të jetë qeveria, sepse me këto politika është duke e zbehur dhe humbur fuqinë punëtore”, ka thënë Azemi.

Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare Bizneseve, Agim Shahini, në një prononcim për Radio Kosovën, thotë se kjo është një rritje e vonuar. Sipas tij, mbi 60 mijë paga janë në evidenca, që marrin pagë 170 euro.

“Sektori privat, rreth 74 privatë janë deklaruar se nuk ka asnjë efekt negativ rritja e pagës, diku rreth 23 për qind janë deklaruar se mund të ketë ndonjë efekt pozitiv ose negativ dhe kjo tregon se shumica e bizneseve e kanë mirëpritur këtë vendim, duke treguar kështu se shumica prej tyre i kanë rritur pagat”, ka thënë Shahini.

Zyrtarë të sindikatave theksojnë se qeveria ka potencial që ta bëjë pagën minimale me të lartë, por, thonë ata, mungon gatishmëria politike. Me Ligjin për pagat, pritet që paga minimale të ketë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit në sektor publik e privat. Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

/Shqip.com