Lajme

Publikohet një audio-incizim, zbulohen detaje si u orkestrua “Afera e grurit”

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Gazeta Nacionale, ka publikuar incizime të reja në Ministrinë e Tregtisë së drejtuar nga Rozeta Hajdari.

Kësaj radhe, gazeta pretendon se tema është e njëjtë, për blerjen e mallrave në rezervën shtetërore, por që ndryshon vetëm produkti. Nga vaji, tash është afera “Gruri”.

Sipas Gazetës Nacionale, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në këto incizime bisedojnë rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit vitin e kaluar. Ata përmendin me emra disa zyrtarë si Hafiz Gara, Rexha, Arbëri, këshilltari (që nuk dihet nëse është fjala për këshilltarin e ministres, apo të ndonjë zyrtari tjetër)

“Krejt përgjimi tregon për zyrtarin Enver Hajruallahu që me pozitë është certifikues. Ndaj tij kishte presione të mëdha për ta nënshkruar kontratën rreth grurit, edhe pse disa ton mungonin. Certifikuesi nuk pranonte ta nënshkruante”.

Sipas bisedës, pretendohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Kjo duket se kishte shkaktuar edhe përplasje ndërmjet disa zyrtarëve në Ministrinë e Rozeta Hajdarit.

“Unë i kam thanë nuk e paguaj për qetë punë për qetë punë, se tash ky shpediteri ky që e ka pas (nuk kuptohet) e ka pasur edhe shpedicionin, ai thojke e kam pru, shpediteri thojke mungojnë 9 tonë, këta thojshin mungojnë pak ma shumë, se aty në kontratë thuhet se duhet me i sjellë 10 mijë tonë me nen nuk duhet me humb asnjë pike rrugës”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë e Industrisë.

Kjo kishte shkaktuar tension në MINT. Madje, zyrtarët që bisedojnë bëjnë të ditur se kishte pasur rrezik edhe për një përplasje fizike ndërmjet Hafizit dhe ministres Hajdari.

Zyrtarët e konfirmojnë se disa nga veprimet kanë qenë të jashtëligjshme.

“Fol ti drejtor që vën vendime të jashtëligjshme”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë me një tjetër.
“Edhe tani hiq, para dy tri jave një muaje, fytas e kemi qu me ministren, ma Hafizi ke tu e rre”, thuhet në bisedë.

Gjatë bisedave përmendet edhe drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë. Zyrtarët tregojnë se kanë qenë në mëdyshje nëse duhet të bëhet kjo pagesë apo jo.

“Lem thash me folë, I nderuar drejtor kemi tha qeshtu (nuk kuptohet…) Jo tha normal duhet me u ba ajo pagesë drejtor, certifikuesi po ndërhyj po ta shpjegoj ma gjerësisht (nuk kuptohet) E u ndal ajo, plus drejtori i AKI-së po shkruan drejtpërdrejt (nuk kuptohet) – Edhe po i thotë, veç pak ministre për këtë punë qysh pe shpjegon certifikuesi jo që jeni duke i ba presion, por duhet me vlerësu punën e tij”, thuhet në audio-incizimin.

/Shqip.com