Lajme

Publikohen fotografitë e veturës së djegur të policit në Veri të Mitrovicës

Vetura e një polici hetues të Policisë së Kosovës, i nacionalitetit serb, është djegur në Mitrovicën e Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 05:00.

Nuk u raportua për dëme të tjera përveçse vetura “Dacia” me targa serbe u dogj tërësisht. Ajo ishte pronë e një polici hetues serb.

Njësitet e zjarrfikësve dolën menjëherë në vendin e ngjarjes.

Elshani thotë se Policia po punon për t’i zbuluar rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Mediumi në gjuhën serbe “KoSSev” ka publikuar fotografitë nga vendi i ngjarjes.

/Shqip.com