PSG-ja mposhtet nga Rennes
Treshja e sulmit, Neymar-Mbappe-Messi duket që ende nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Përkundër faktit që në mesjavë shënuan fitore ndaj Manchester Cityt, parisienët janë mposhtur sot në kuadër të Ligue 1 nga Rennes me rezultat 2-0, shkruan Shqip.com.
Për të parë golin e parë u desh të pritej deri në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Gaëtan Laborde e tundi rrjetën për të i dhuruar ekipit vendas epërsinë dhe për të shkuar në pushim prej 15 minutave të relaksuar.
Në pjesën e dytë gjërat nisën me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë, pasi menjëherë në miniutën e 46-të, Rennes e dyfishuan rezultatin, kësaj radhe me anë të Flavien Tait.
E gjitha çka mundën të bëjnë nënkampionët e Francës ishte goli i shënuar nga Kylian Mbappe, por që u anulua nga VAR-i.
Përkundër kësaj humbje , PSG-ja është lider në Ligue 1, me 24 pikë të grumbulluara pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara.
Në vendin e dytë gjendet Lens me gjashtë pikë më pak, ndërsa Rennes me pikët e fituara sot ngritet në pozitën e tetë./Shqip.com