Sport Ndërkombëtar

PSG fiton ndaj Angers, shënon Messi

PSG ka shënuar fitore ndaj Angers me rezultat 2-0 në kuadër të javës së 18-të në Ligue 1, ndërsa Leo Messi i rikthyer arriti të shënojë në këtë përballje.

Parisienët e nisën shumë mirë takimin, duke shënuar që në start.

Zhvillohej minuta e 5-të, kur Nordi Mukiele asistoi te Hugo Ekitike që shënoi për 1-0.

Në pjesën e parë rast të mirë kishte edhe Sergio Ramos në minutën e 24-të, por portieri mysafir Paul Bernardoni ishte në vend.

Në fillimin e pjesës së dytë të dy skuadrat kishin nga një rast, me Ekitiken dhe Abdallah Sima, por të dy nuk ishin të saktë.

Në minutën e 72-të ishte momenti i Lionel Messit, që arriti të shënojë pas një aksioni të bukur të PSG-së për 2-0.

U desh që situatat të shikohet në VAR, pasi goli fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por pas dy minutash kishte festë për Messin që shënoi golin e parë për vitin 2023 pas rikthimit nga pushimi.

Deri në fund gola të tjerë nuk kishte dhe PSG mori fitoren e 15-të në kampionat dhe me 47 pikë është lider.

/Shqip.com