Sport Ndërkombëtar

Pse po largohet Sterling nga Manchester City?

Raheem Sterling do të jetë lojtari i dytë këtë verë që do të largohet nga Manchester City për një nga rivalët e tyre të Premier Leagues, pasi sulmuesi ka ranë dakord për kushtet personale me Chelsean.

Pas shitjes së Gabriel Jesus në Arsenal dhe nënshkrimit të Erling Haaland nga Borussia Dortmund, City do të ndryshojë në front këtë sezon, shkruan BBC.

Chelsea do të ketë gjithashtu një pamje të re, me sulmuesin anglez Sterling që vjen pas rikthimit të Romelu Lukakut në Inter Milan.

Pra, cila është trashëgimia e Sterlingut te City, pse po largohet dhe çfarë do të sjellë në krahun e Thomas Tuchel?

Si do të mbahet mend ai te City?

City ka fituar 29 trofe të mëdhenj në historinë e tyre, 12 prej tyre ndërsa Sterling ishte atje – duke përfshirë katër nga tetë titujt e ligës, pesë nga tetë Kupat e Ligës dhe një Kupën FA.

Ai largohet me 131 gola dhe 74 asistime në 339 ndeshje në shtatë sezone pas lëvizjes së tij nga Liverpooli.

Anglezi ka qenë gjithashtu një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e karrierës menaxheriale të Pep Guardiolës, duke luajtur më shumë ndeshje (292) për katalanasin se kushdo tjetër.

Vetëm Lionel Messi (211) dhe Sergio Aguero (124) kanë shënuar më shumë gola për Guardiolën sesa 120 të Sterlingut.

Ai është gjithashtu i treti për asistime, me 66, vetëm pas Kevin de Bruyne (105) dhe Messit (80).

Pse Man City e lë të shkojë?

Niveli i madh i suksesit të Sterlingut në City shtron një pyetje të qartë – pse po e lejojnë atë të largohet për një rival potencial për titull?

Janë dy faktorë të mëdhenj. Njëri është fakti se atij i skadon kontrata verën e ardhshme, kështu që ky ishte shansi i fundit për të fituar para – dhe tjetri vjen me nënshkrimin e Haaland.

City ka luajtur shpesh pa një sulmues ortodoks në dy sezonet e fundit me Agueron i lënduar shumë, dhe më pas është larguar për në Barcelonë.

Por nënshkrimi prej 51 milionë funtesh i sulmuesit të Borussia Dortmundit, Haaland, i cili ka shënuar më shumë se 150 gola në moshën 21-vjeçare, me siguri do të ndryshojë gjithçka.

Vetëm nëntë nga 47 ndeshjet e Sterlingut sezonin e kaluar ishin në një rol qendror, por Phil Foden – i cili ishte qendërsulmues – do të zërë një pozicion krahu shumë herë.

Sterling filloi vetëm 23 ndeshje në Premier League sezonin e kaluar – dhe kjo ishte pa Haaland në klub.

Ku do të përshtatet ai te Chelsea?

Një gjë që do të marrë Chelsea janë golat dhe asistimet, diçka që i ka munguar pavarësisht suksesit të fundit.

Herën e fundit që një lojtar i Chelseat shënoi më shumë gola në një sezon se Sterling – si në ligë ashtu edhe në të gjitha garat – ishte Diego Costa në 2016-17./Shqip.com