Kulturë

Pse Jean Paul Sartre refuzoi çmimin Nobel?

Jean Paul Sartre, është filozofi më i njohur ekzistencialist i shekullit të XX. Sartre kishte arritur famën e tij me veprën “Ekzistencializmi është humanizëm”, vepër kjo për të cilën Sartre ishte penduar publikisht.

Në tetorin e vitit 1964, Sartre ishte fitues i çmimit Nobel, ai nuk e deshti këtë çmim duke deklaruar se do t’i refuzonte gjithmonë çështjet zyrtare, sepse, sipas tij, pranimi i këtij çmimi do të kufizonte ndikimin e shkrimeve të tij, dhe se nuk donte të “institucionalizohej”.

Sartre, i kishte shkruar një letër Akademisë Suedeze, duke i bërë të ditur se do t’a refuzonte këtë çmim, për arsye personale dhe objektive, dhe se nuk ka të bëjë aspak me Akademinë Suedeze dhe as me Çmimin Nobel.

Sartre, kishte refuzuar vazhdimisht çdo çmim apo vlerësim, duke përfshirë Legjionin e Nderit në vitin 1945. Koncepti i tij modest për shkrimtarin dhe për detyrën e tij ishte që puna e shkrimtarit të ishte gjithmonë modeste dhe e zhvlerësuar.

Jean Paul Sartre

Pjesë nga letra e Sartrit drejtuar Akademisë Suedeze.

Një shkrimtar i cili miraton poste politike, sociale, ose letrare duhet të veprojë vetëm me mjete që janë të tijat – domethënë fjala e tij e shkruar. Të gjitha nderimet që ai mund të marrë, e ekspozojnë lexuesin e tij ndaj një presioni, që unë nuk e konsideroj të dëshirueshëm. Nëse unë firmos për veten time me “Jean Paul Sartre”, kjo nuk është e njëjta gjë, sukur të firmos me “Jean Paul Sartre, fitues i çmimit Nobël.

Shkrimtari pra nuk duhet të lërë veten të shndërrohet në një institucion, edhe në qoftë se kjo ndodh në rrethanat më të nderuara, si në rastin në fjalë. Ky qëndrim është sigurisht tërësisht i imi, dhe nuk përmban kritika ndaj atyre që e kanë marrë çmimin. Unë kam shumë respekt dhe admirim për disa nga laureatët, të cilët kam nderin t’i njoh”

Sartre, përmes kësaj letre, Akademisë Suedeze, i shpjegon edhe arsyet objektive të tij, sipas tij, beteja e vetme e mundshme në frontin kulturor, është beteja për bashkëjetesën paqësore të të dy kulturave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit, dhe kjo sipas tij duhet të ndodh midis njerëzve dhe kulturave pa ndërhyrjen e institucioneve.