Ekonomi Biznes

Pse heqja e TVSH-së për produktet esenciale nuk e garanton uljen e çmimeve?

Pas dështimit javën e kaluar që të kalojë projektligji për caktimin e çmimeve tavan për produktet esenciale, deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot do ta ketë përsëri si pikë të rendit të ditës.

Në seancën e javës së kaluar, opozita kishte kundërshtuar këtë projektligj, duke e quajtur edhe antikushtetues.

Sipas tyre çmimet nuk rregullohen përmes projektligjeve sepse e rrugës është që të hiqet TVSH-ja për produktet esenciale. Këtë propozim e dha javën e kaluar, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Heqja e TVSH-së vetëm për këto produkte elementare, s’dëmton buxhetin e vendit. Heqja e TVSH-së lehtëson dukshëm përballueshmërinë e kosovarëve në këtë krizë të paprecedentë”, kishte thënë Abdixhiku.

Por sipas ekspertit të financave, Florin Aliu, heqja e TVSH-së për produktet esenciale, jo domosdoshmërisht jep efekte në çmimin e produkteve.

Ai ka thënë për Shqip.com, se edhe nëse potencialisht hiqet TVSH-ja, efektet do të jenë zero.

“Heqja e TVSH-së nuk mendoj se do të ketë efekt mbi çmimet. Arsyeja e vetme lidhet me faktin se çmimet i cakton tregu dhe jo Qeveria. Në vitin 2017, Qeveria e asaj kohe e kishte hequr TVSH-në nga produktet bazë, e krejt kjo nuk kishte ndikuar në rënien e çmimeve”, tha Aliu.

Për më tepër sipas Aliut, çmimet në fund të atij viti vetëm sa ishin rritur për arsye se TVSH-ja nuk është taksë obligative për uljen e çmimeve.

“Pas heqjes së TVSH-së për produktet esenciale në vitin 2017, çmimi vetëm sa ishte rritur. Ne duhet ta kuptojmë se TVSH-ja nuk është taksë obligative për ulje të çmimeve. Prandaj mendoj se TVSH-ja nuk duhet hequr sepse efekti në çmime do të jetë zero”, tha Aliu.

Administrata Tatimore e Kosovës, ka bërë të ditur për Shqip.com, se gjatë vitit të kaluar shitjet e tatueshme kanë qenë mbi 2 miliardë euro.

Nëse e llogarisim TVSH-në prej 8 për qind për produktet bazike, del se në arkën e shtetit kanë shkuar 161 milionë euro.

Mirëpo, në përgjigjen e dhënë për Shqip.com, ATK-ja nuk ka specifikuar shifrën e saktë vetëm për produktet esenciale, por kanë paraqitur të dhënat në përgjithësi sa i përket mbledhjes së tatimeve, duke e llogaritur edhe normën e tatueshme prej 8 për qind.

Një ditë më parë, kryeministri Kurti ka lavdëruar punën e ATK-së, duke thënë se puna profesionale e administratës, ka rikthyer besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovës.

Inflacioni në Kosovë në muajin qershor sipas Bankës Botërore ishte 19.2 për qind, e sipas të dhënave zyrtare, shifrat nga muaji në muaj, kanë shënuar ngritje.

Kriza që ka shkaktuar pandemia COVID-19, e pasuar nga lufta në Ukrainë, kanë ngritur alarmin për një inflacion që për Evropën mund të jetë më i madhi në 10 vitet e fundit.

/Shqip.com