Lajme

PSD zyrtarizon bashkëpunimin politik me AAK-në dhe Nismën për kundërshtimin e Qeverisë për energjinë

Partia Socialdemokrate (PSD) ka zyrtarizuar bashkëpunimin politik me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe me Nismën Socialdemokrate.

Tri subjekte politike opozitare do e kundërshtojnë vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike.   

Përfaqësuesit e këtyre partive janë takuar këtë të premte për të konkretizuar aspektet e caktuara të bashkëpunimit ku përfshihet edhe organizimi i protestave.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, pas takimit ka deklaruar se frustrimi i qytetarëve ndaj Qeverisë së Kosovës është në rritje dhe se i takon opozitës të organizojë popullin dhe pakënaqësitë e tyre t’i shprehin në rrugë.

Ai ka thënë se ata do të prijnë kundërshtimit për shtrenjtimin e rrymës nëqoftëse nuk ekziston vullnet nga të tjerët.

“Pakënaqësia e qytetarëve është shumëfish më e madhe se jona. Opozita po rritet po zgjerohet dhe po fuqizohet.  Po të ishin edhe LDK-ë dhe PDK ky vendim nuk do të ishte realizuar. Jemi duke përgatit sqarimet se çfarë ndikimi do të kenë faturat tek qytetarët”

“Përtej kësaj dihet se sa janë rrit çmimet e produkteve. Kemi probleme edhe tek ligji i pagave që është sakatuar. Detyra jonë është të ndalimin hegjemoninë e Kurti”, është shprehur Molliqaj. 

Ai ka thënë se deri të shtunën në mbrëmje do të ketë konsultime sa i përket mënyrës sesi ata do të organizohen për kundërshtimin e vendimit të ZRRE-së.

Kurse  Ahmeti Isufi nga AAK ka thënë se partia ka mbështetur iniciativën për të kundërshtuar çmimin e rrymës.

Isufi tha se ata do i përdorin të gjitha instrumentet, përfshirë këtu që çuarjen në Gjykatë Kushtetuese.

“Jemi në mbështetje të iniciativave të kundërshtimit e rritjes së çmimit të energjisë. Do t’i përdorim të gjitha instrumentet demokratike për ta ndalur këtë rritje që e ka bërë Qeveria përmes ZRRE-së”

“Të gjitha çmimet janë rritur të produkteve në Kosovë dhe nuk ka rritje të pagave dhe gjendja sociale ekonomike në Kosovë është duke u rënduar. Nëse Qeveria nuk është për angazhimin për interes qytetar, i takon opozitës, qytetarëve që të reagojnë”, ka thënë ai.

Ndërkaq Endrit Shala nga Nismacioldemokrate ka deklaruar se nga  e premtja fillon zyrtarisht bashkëpunimi i tyre për çështjen e rrymës. “Kemi diskutuar edhe për mundësinë e organizimit të një proteste të përbashkët” , ka thënë Shala.

Ndryshe PSD nuk ka fituar asnjë ulëse në Parlamentin e Kosovës poashtu edhe NISMA. AAK përfaqësohet me 8 deputetë.