Lajme

PSD: Përmes ligjit për inspektime, Qeveria ka synim ta centralizojë kontrollin dhe ndikimin

Nënkryetar i PSD-së, Qëndron Kastrati

Projektligji për Inspektim Administrativ i propozuar nga Qeveria e Kosovës, po i duket shqetësues nënkryetarit të Partisë Socialdemokrate, Qëndron Kastrati.

Sipas Kastratit, qëllimi i Qeverisë është që përmes këtij ligji të synohet që të vendoset mbikëqyrje dhe kontroll aty ku nuk ka kompetencë.

“Synimi është që t’i nënshtrojë dhe disiplinojë zyrtare të administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, ku ata do të mund t’i nënshtrohen inspektimit administrativ e pastaj ajo vazhdon me gjobë dhe shumë çështje tjera që normalisht në vende demokratike janë mandat kompetence e sistemit të drejtësisë dhe deri në njëfarë mase të eprorëve ose departamenteve që ata punojnë”, tha Kastrati në një konferencë për media.

Më tej ai tha se “Qeveria ka synim ta centralizojë kontrollin dhe ndikimin”.

Kastrati, po ashtu i bëri apel asociacionit të komunave dhe komunave në veçanti që të merren me këtë çështje dhe të iniciojnë pranë Gjykatës Kushtetuese që të mos lejojnë t’i ndërhyjnë në kompetencat e tyre.

Gjithashtu, ftoi Kuvendin që të mos e votojë ligjin për inspektimin administrativ ose që Qeveria të tërhiqet nga ky ligj./Shqip.com